Aktualitet

Pas kryebashkiakëve, Rama paralajmëron ministrat për tenderat!

Ndëshkimit për abuzimet me tenderat nuk do t’i shpëtojnë as ministrat. Ashtu si me kryebashkiakët, kryeministri Rama mblodhi sot anëtarët e Qeverisë për t’iu thënë se ai vetë do t’i çojë në SPAK. Shefi i Ekzekutivit iu referua problematikave në 70% të tenderave të dhënë prej vitit të kaluar.

Kryeministri vuri në dukje se me Paketën e re të Prokurimeve, ministrat janë po aq përgjegjës sa titullarët e bashkive për procedurat e tenderave. Referuar numrit të pjesëmarrjeve, vlerës së kursyer në paratë e Buxhetit të Shtetit, nënshkrimit të kontratave, realizimit të tyre në terren, si dhe kufizimit të tenderave me negocim pa shpallje, Rama kërkoi të mos ketë abuzime në këto pika e përsëriti qëndrimin për zero tolerancë.

Në një kohë të shkurtër, jo të gjatë, ky shtet të kalojë në një nivel tjetër të nivelit të Prokurimeve Publike, në radhë të parë duke garantuar që çdo institucion funksionon si hallkë, jo si bajrak dhe duke funksionuar kështu, funksionon si pjesë e një zinxhiri ku komunikimi duhet të jetë 100% i garantuar. Rekomandimet e APP nuk janë as në Bibël e as në Kuran edhe pse këto përsëri hanë diskutimet e tyre mes besimtarëve por ama sikur në një rast të vetëm rekomandimet të bien në një vesh aq të shurdhët sa të mos ketë fare përgjigje a thua se kjo APP mbyll letra në shishe dhe i hedh në det, çdo rast i tillë do të shkojë në SPAK nga Kryeministria, pastaj a është i qëllimshëm apo injorancë, këto çështje pastaj hanë hetime! Janë disa objektiva të realizueshëm që afatet janë të padiskutueshme. Shmangia e kritereve të qepura me dorë që kufizojnë konkurrencën me paketën ligjore është mundësuar të adresohet me efikasitet, tërheqjet nga gara, rotacionet në ofertim, ofertimet fiktive, duhen masa që të ndërmerren hetime administrative!

Nuk mungoi as sot reagimi i Lulzim Bashës për mbledhjen e kryeministrit.

Në një postim në rrjetet sociale, kreu demokrat shkruan:

Ka 8 vite në pushtet dhe sot më në fund pranoi se Qeveria e tij e ka zhytur vendin në korrupsion. Ajo që ai nuk thotë e është e qartë për të gjithë shqiptarët është se PESHKU QELBET NGA KOKA!