Dëgjo live TOP ALBANIA RADIO
Dëgjo live TOP GOLD RADIO
Dëgjo live MY MUSIC RADIO
Voto në THE TOP LIST
Aktualitet

Pas Merkel-it, Von Der Leyen viziton Shqipërinë e Kosovën!

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula Von der Leyen do të vizitojë Kosovën më 29 shtator.

Të njëjtën ditë do të vizitojë edhe Malin e Zi, ndërkohë që një ditë më herët, më 28 shtator, do të vizitojë Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Në rrugëtimin e saj në rajon ajo do të vizitojë edhe Serbinë dhe Bosnjë-Hercegovinën.

Von der Leyen në fjalimin e saj në Parlamentin Evropian për “Gjendjen e Unionit” ka folur edhe për rëndësinë që rajoni i Ballkanit Perëndimor ka për Bashkimin Evropian.

“Investimet në të ardhmen e Ballkanit Perëndimor janë investime në të ardhmen e Bashkimit Evropian”, ka thënë Von der Leyen. Ajo ka përmendur edhe planet e BE-së për investime në rajon duke thënë se investimet e përgjithshme të BE-së përbëjnë 1/3 e bruto-prodhimit vendor të rajonit.

Gjatë debatit në parlamentin Evropian edhe ministri i Jashtëm i Sllovenisë, Anzhe Logar, vend që kryeson Bashkimin Evropian deri në fund të këtij viti, ka folur për të njëjtën temë rreth zgjerimit dhe Ballkanit Perendimor, duke i quajtur si prioritet dhe duke paralajmëruar se kësaj teme do t’i kushtohet samiti i radhës i BE-së në fillim të tetorit në Slloveni.

Pikërisht në prag të këtij samiti do të zhvillohet edhe vizita e Von der Leyen në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Von der Leyn e ka paralajmëruar këtë vizitë si rast për të dërguar mesazhin për rëndësinë e procesit të zgjerimit të BE-së.