Aktualitet Politikë

Pas Monika Kryemadhit, Ilir Meta në SPAK/Meta: Po shkoj te Dum Dumani!

Një ditë pas bashkëshortes Monika Kryemadhi që qëndroi për mbi 5 orë në mjediset e SPAK-ut, sot u paraqit Ilir Meta. Siç u mësua nga gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha, Metës i është dërguar ftesë nga prokurori i posaçëm, Sotir Kllapi që po kryen hetim pasuror ndaj çiftit Meta-Kryemadhi. Meta iu rikthye sulmeve ndaj kryeprokurorit Altin Dumani, të cilin e akuzon se “mbron Ramën” dhe nuk “guxon” të përmendë emrin e kryeministrit.

A e njeh Dum Dumanin kush është? Dum Dumani është ai që nuk guxon që të hapë çështjen e McGonigal se është me Ramën. Ai nuk guxon që të përmendë emrin e Ramës. As për çështjen e Sali Berishës që e ktheu. Po shkoj te Dum Dumani.

E thirrur si person që ka dijeni, pas daljes nga prokuroria, dje deputetja e Partisë së Lirisë tha për mediat se u pyet për të gjitha.

Me një telefon që vazhdon të jetë i sekuestruar, por që Monika Kryemadhi shprehet se në të ka “vetëm gjëra të bukura”, ftesa ndaj saj ishte edhe si bashkëshorte e ish-presidentit Ilir Meta, për sa kohë në paketën e pyetjeve ishin përfshirë ndërhyrjet estetike e çështja e lobimit, po ashtu.

Ndër të tjera bëri të ditur se krahas krizës politike mes çiftit bashkëshortor, ka dhe një tjetër lloj ndarjeje me Ilir Metën e kjo është për shkak të qëndrimeve të tij ndaj SPAK-ut.

Sa iu përket hetimeve, në dy vite, Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka kryer disa veprime e më kryesoret ndër to, letërporositë dhe kontrollet financiare. Se cilat janë përgjigjet, pritet që ato të kuptohen në javët në vazhdim, atëherë kur dyert e SPAK-ut të jenë të hapura edhe për persona të tjerë që pritet të thirren.