Aktualitet Live From Tirana

Pas ndarjes nga jeta të Hueyda El Saied, ekskluzivisht për TAR reagon mikesha e saj prej 20 vitesh, Ardita Mullai!

Sot, e ftuar në emisionin “Live from Tirana” nëpërmjet një lidhjeje telefonike ishte moderatorja dhe aktorja e njohur Ardita Mullai, për të na folur në lidhje me ngjarjen e dhimbshme të ndarjes nga jeta në moshën 46-vjeçare të artistes së njohur, Hueyda El Saied.

Hueyda prej kohësh vuante nga kanceri i gjirit dhe fatkeqësisht nuk mundi ta fitojë betejën me sëmundjen e rëndë. Ardita një mikeshë prej vitesh e Hueydas, e tronditur nga lajmi u shpreh se:

Jemi të tronditur nga ky lajm i poshtër, ajo ndante vetëm gjërat e bukura. Ne miqtë e ngushtë kur kemi probleme shëndetësore e ndajmë me njëri-tjetrin, ajo nuk e bëri. Këtë gjë e ndau me shumë pak njerëz. M’u desh të flisja me një mike të saj që më tregoi dhe mora vesh gjithçka. Hueyda ndante vetëm energjitë pozitive, sa herë që vinte bënte ato grupet e bukura, sa herë që vinte na bashkonte të gjithëve ne. Ne jemi në Tiranë dhe nuk bashkohemi, vjen Hueyda na bën të gjithëve bashkë, na fal të gjithëve dashuri, na mrekullon me humorin e saj. Është e padrejtë ky lajm, unë jam tronditur shumë. Hueydën vetëm duke e parë, buronte një mirësi dhe energji. Të gjithë e donin Hueydën, është e padrejtë. Zoti i zgjidhka njerëzit. Ishte shumë e re. Bashkëshorti i saj thoshte ku e pata këtë fat. La familjen e saj, la Gabrielin.

Ne njihemi prej një jete, mbi 20 vite. Ajo është aq e dashur sa i bën njerëzit për vete. I donte shumë njerëzit dhe gjithmonë ishim bashkë. Kemi punuar bashkë nëpër spektakle, e njoh dhe nga miqtë që nuk janë të spektakleve. Hyeuda fitoi spektaklin “12 vallëzime pa një të shtunë”. Përveç baletit edhe shkruante. Ishte me shumë dëshira, pasione dhe e donte shumë jetën. Ishte një shpirt i lirë që e donin të gjithë. Edhe fëmijët e vegjël e shikonin.

Në lidhje me djalin e saj Gabriel, Mullai tha këto fjalë:

Ai është një Hueyda e dytë, një djalë ekspresiv energjik. Ajo thonte se është investimi më i madh që kam bërë në jetë, gjëja më e çmuar që kam. Fati i tmerrshëm, nuk e mendoja kurrë që kjo destino do ishte përcaktuar për Hueydën. Mesa duket Zoti merrka më të mirën. Hueyda ishte një dashuri e madhe.