Politikë

Pas përjashtimit nga grupi parlamentar i PD, Berisha nis ‘Foltoren për një Parti Demokratike të bashkuar’.

Pas përjashtimit nga grupi parlamentar i PD, ish kryeministri Sali Berisha ka nisur një fushatë takimesh për një “Parti Demokratike të bashkuar”.

“Miq, një përshëndetje të përzemërt me këtë foto ditën që nisim Foltoren për një Parti Demokratike më të bashkuar, më të fortë, më të hapur!”, shkruan Berisha bashkëngjitur një fotoje ku shfaqet me dy gishtat lart.

Kujtojmë se pak ditë më parë kreu i PD, Lulzim Basha përjashtoi Berishën nga grupi parlamentar pas vendimit të SHBA, për shpalljen “non grata” të ish kryeministrit.

Pas përjashtimit nga PD, Berisha kishte paralajmëruar se ditën e sotme do të fillojë takimet nëpër qytete për të bashkuar Partinë Demokratike.

Përjashtimi i Berishës, Kryesia e FRPD-së kërkon referendum!

30 anëtarë të Kryesisë së Forumit Rinor të Partisë Demokratike depozituan dje një peticion drejtuar Sekretarit të Përgjithshëm, Gazment Bardhi dhe kreut të Këshillit Kombëtar, Edi Paloka për thirrjen e një referendumi pas përjashtimit të Sali Berishës nga grupi parlamentar.  Sipas tyre, anëtarësia duhet të vendosë pasi u shkelën statuti dhe vlerat e PD-së.

Po ju drejtohemi nëpërmjet këtij peticioni lidhur me situatën e paprecedentë të krijuar nga vendimi personal i Kryetarit të Partisë Demokratike për përjashtimin e Profesor Doktor Sali Berishës nga Grupi Parlamentar. Duke e konsideruar këtë veprim në shkelje të plotë të statutit, parimeve, vlerave të Partisë Demokratike, si dhe për rrezikun që mbart për përçarjen e thellë e të parikuperueshme të saj, kërkojmë që ky veprim t’i nënshtrohet me domosdoshmëri një referendumi në anëtarësinë e partisë, si e vetmja rrugë për të ruajtur unitetin e Partisë Demokratike të Shqipërisë.

 

Vetë Sali Berisha e konsideron “nul” vendimin e kryetarit Basha. Ky vendim iu kërkua nga Shtetet e Bashkuara që e kanë shpallur “non grata” ish-liderin historik të PD-së. Berisha e konsideron veten pjesë të grupit demokrat e ka paralajmëruar se nga nesër do të zbresë në terren e do të nisë takimet me anëtarët e PD-së në Tiranë. Ai synon të mbledhë firmat për të kërkuar referendum në lidhje me vendimin individual të Lulzim Bashës dhe më pas do të shkojë në Shkodër.