Aktualitet Politikë

Pas përjashtimit të Sali Berishës nga Partia Demokratike, Lulzim Basha mbledh grupin!

Prej mesditës, kryetari Lulzim Basha po zhvillon një mbledhje të grupit kuvendor të Partisë Demokratike ndërsa për nesër është paralajmëruar mbledhja e Këshillit Kombëtar. Në kampin demokrat, tashmë të ndarë mes përkrahësve të Berishës e Bashës, janë të vrullshme zhvillimet. Në një mbledhje që përfundoi në orët e para të mëngjesit, Kryesia vendosi që Sali Berisha, me 7 anëtarë të Komisionit të Rithemelimit, të mos jenë më anëtarë të forcës politike më të madhe opozitare. Ata janë Bujar Nishani, Flamur Noka, Arben Ristani, Albana Vokshi, Keltis Kruja, Edmond Spaho e Klevis Balliu. Po ashtu u pezulluan 19 anëtarë.

Albana Vokshi reagoi duke mos e njohur vendimin e Kryesisë. Vokshi, e cila që në fillim u pozicionua në krah të Berishës në përplasjen me Bashën, shkruan:

Nuk mund të më përjashtojnë dot ata që nuk kanë lidhje me partinë. Nuk më përjashton dot një grup uzurpatorësh që PD-në e kanë mjet për pasurimin personal, ndaj e duan me çdo kusht. Ata nuk kanë lidhje as me demokratët as me demokracinë.

Ndërkaq, Evi Kokalari e cila ishte pjesë e Foltores së Sali Berishës, njoftoi vendimin për t’u distancuar pak nga politika në Shqipëri për t’u rikthyer në Shtetet e Bashkuara. Në një postim, Kokalari shkruan:

Megjithëse me mendje dhe zemër jam aty ku vazhdon lufta për një opozitë të fortë, dua t’i kthehem jetës time në Amerikë, të cilën e kam lënë pas dore prej shtatorit. Do të jem në komunikim të vazhdueshëm me anëtarët e Komisionit të Rithemelimit, gjithsesi jo më aq aktive sa më parë.

Ndërsa PD nisi riparimet e godinës pas akteve të dhunës në protestën e 8 janarit, bie në sy rivendosja e dyerve të blinduara. Berisha paralajmëroi se protestat do të vijojnë me të gjitha mjetet, siç është shprehur, “për t’ia rikthyer demokratëve”. Për të ndalur trazirat e përplasjet, më 8 janar ndërhyri policia.