Rajoni

Pas protestave, edhe 6 në pranga për trafikim të 11 vjeçares së dhunuar në Prishtinë!

Gjashtë të arrestuar në Kosovë për trafikimin në qershor të 11 vjeçares në Prishtinë, e cila u përdhunua më 27 gusht duke çuar në pesë të prangosur. Zyrtarisht bëhet e ditur se rastet trajtohen “të ndara”. Rreth tre muaj më parë, e mitura u raportua “e zhdukur” dhe gjashtë të dyshuarit në moshë madhore, dyshohen për veprat penale “Trafikim me njerëz”, “Shërbimet seksuale të viktimës së trafikimit” dhe “Dhunim”.

Në komunikatën e përbashkët të Prokurorisë Themelore në Prishtinë dhe Policisë së Kosovës, thuhet:

Sigurojmë opinionin publik se për të dy çështjet penale ku e përfshirë është viktima e mitur, prokuroria në koordinim me institucionet e tjera relevante ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore me profesionalizëm e përgjegjësi dhe po vazhdon më tej me ndërmarrjen e veprimeve hetimore.

Ndërkohë, për pesë të dyshuarit për përdhunim, autoritetet në Kosovë kanë caktuar masën e paraburgimit me nga një muaj secili. Rasti që tronditi Kosovën e jo vetëm, çoi në protesta edhe në vendin tonë, përveçse në Prishtinë, ku nga shoqëria civile e qytetarë u organizuan dy tubime në datat 30 e 31 gusht. Pjesëmarrësit, mes tyre shumë personazhe të njohur kërkuan ndëshkim maksimal për autorët. Ata bënë thirrje për më shumë mbrojtje të grave e vajzave e të luftohet dhuna ndaj tyre në Kosovë.

Më 30 gusht, dha dorëheqje drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti për “arsye personale dhe ndërgjegje profesionale”.

Një ditë pas tij, dorëheqjen e njoftoi edhe Ali Gashi, i cili ka qenë në drejtimin e Drejtorisë për Trajtimin e të Burgosurve dhe të Miturve në Shërbimin Korrektues të Kosovës.

Ndërkaq një ditë më parë, kryeministri Albin Kurti, bëri të ditur dy shkarkime. Janë shkarkuar zyrtarë të lartë: Drejtori i Policisë Rajonale në Prishtinë dhe Drejtori për Operativë në Drejtorinë Rajonale të Prishtinës.