Bota

Pas SHBA-së edhe Italia bie pre e sulmeve kibernetike!

Pas sulmeve të fundit kibernetike në SHBA edhe një web-faqe zyrtare për rezervimin e takimeve për të marrë vaksinat anti-COVID në Itali ka rënë pre e këtyre sulmeve.

Faqja e internetit në Lazio, kishte rënë për disa orë dhe sulmi kibernetik i pengoi qytetarët të prenotojnë takime për vaksinën anti-COVID si dhe për marrjen e disa shërbimeve të tjera.

“Ne po mbrojmë komunitetin tonë nga këto sulme terroriste. Lazio është viktimë e një ofensivë kriminale, më e rënda që ka ndodhur ndonjëherë në territorin tonë ”, u shpreh kështu presidenti i Rajonit, Nicola Zingaretti, duke folur për sulmin e hakerëve

Sipas burimeve të përfshira në këtë rast, faqja u sulmua nga hakerat “ransomware”.

Hakerët, mercenarë të rekrutuar nga ndonjë organizatë e Dark-WEB , ku pasi sulmojnë faqet kryesore dhe për të lejuar funksionimin normal të tyre ata kërkojnë dëmshpërblim. Autoritetet vendase pohojnë se deri tani nuk ka pasur kërkesa për dëmshpërblim.

Përveç sulmit të faqes së rezervimit të orarit për vaksinat, edhe një pjesë e madhe e faqeve të aktiviteteve kryesore janë bllokuar dhe nuk dihet se kur gjërat do të kthehen në normalitet.

Në mes të qershorit, qeveria italiane vendosi të krijojë një agjenci qeveritare të specializuar në sigurinë kibernetike për të luftuar numrin në rritje të sulmeve kompjuterike.