Aktualitet Politikë

Pas takimit me Escobar-in, Meta: Përmbushim detyrimet e partneritetit me Amerikën!

Takimi me Ilir Metën ishte njëri prej dy takimeve të njoftuara për sot në ditën e dytë të vizitës në Tiranë të zv.ndihmës sekretari amerikan i Shtetit për Çështjet Europiane, Gabriel Escobar, njëherazi i Dërguari për Ballkanin Perëndimor. Kryetari i Partisë së Lirisë bëri të ditur se theksoi rëndësinë e ruajtjes së përbashkët të partneritetit dhe aleancës strategjike Amerikë-Shqipëri.

Për Shqipërinë, aleanca me Shtetet e Bashkuara të Amerikës është themelore për demokracinë, zhvillimin ekonomik, sigurinë e vendit e të rajonit. Vlerësova komunikimin e hapur për të gjitha çështjet që diskutuam në takim. E falënderova për mbështetjen e projektit të bazës së NATO-s në Kuçovë, si dhe ndihmën e jashtëzakonshme për forcimin e kapaciteteve mbrojtëse të sigurisë kibernetike. Vlerësova se angazhimi i SHBA-ve në procesin e negociatave mes Kosovës e Serbisë është thelbësor dhe garantues drejt përfundimit me sukses të dialogut ndërmjet dy vendeve.

Meta u shpreh se zgjedhjet vendore të 14 Majit janë një ditë e madhe e ndryshimit për të gjithë shqiptarët, që do t’i japin fund monizmit në pushtetin vendor e do të rikthejnë demokracinë, transparencën dhe llogaridhënien në të gjitha bashkitë e vendit.

Ndër të tjera, nënvizoi vendosmërinë e Partisë së Lirisë për të përmbushur të gjitha detyrimet që burojnë nga partneriteti e aleanca strategjike midis Shqipërisë dhe SHBA-ve.

Më tej nënvizoi vendosmërinë e Partisë së Lirisë, për të përshpejtuar procesin e integrimit europian të vendit, me prioritet luftën kundër korrupsionit dhe forcimin e shtetit të së drejtës.

Më herët gjatë ditës, Escobar pati edhe një takim me kryetarin në detyrë të Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj, i cili shoqërohej nga deputetët Orjola Pampuri, Gazment Bardhi e Kreshnik Çollaku, por nuk ka një njoftim zyrtar rreth diskutimeve. Në takimet e sotme, zyrtari i lartë i Uashingtonit shoqërohej nga ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim. Dje, ai takoi presidentin Bajram Begaj, kryeministrin Edi Rama dhe shefen e diplomacisë shqiptare, Olta Xhaçka.