Aktualitet Rajoni

Pas takimit me Kurtin, Rama: E inkurajova për hapat e mëtejshëm, qoftë për Asociacionin apo Kishën Serbe

Kryeministri Rama jep detaje për takimin e sotëm me Albin Kurtin, me të cilin drekoi në Tiranë, ndërsa bën të ditur se ranë dakord që në qershor të zhvillojnë mbledhjen e ardhshme të dy qeverive.

Me mikun e posaçëm, kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, gjatë drekës së sotme ku diskutuam me detaje për marrëveshjen e Ohrit dhe ecurinë e mëtejshme të procesit të zbatimit të saj.

I shpreha Albinit të gjithë simpatinë time për kurajon dhe realizmin me të cilin ka hedhur hapa me rëndësi të madhe drejt normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë.

E inkurajova kryeministrin në hedhjen e hapave të mëtejshëm, qoftë për garantimin e komunave serbe në kornizën e asociacionit që garanton vetëmenaxhimin e komunitetit serb, qoftë për funksionimin me garancitë e nevojshme të Kishës Serbe në vendet e saj të kultit në Kosovë, duke e siguruar se në këtë proces jo të lehtë ai ka mbështetjen time më të plotë. Ramë dakord që mbledhja e ardhshme e të dy qeverive të mbahet në qershor.

Më herët, Albin Kurti i nisi me Presidentin e Republikës takimet në Tiranë, me fokus bisedimet e Ohrit. Presidenca njoftoi:

Duke u ndalur te rezultati i takimit të Ohrit, Presidenti Begaj vlerësoi se dakordësimi publik dhe angazhimi i palëve për të zbatuar planin evropian të normalizimit të marrëdhënieve midis Republikës së Kosovës dhe Serbisë dhe aneksin përkatës, si një pjesë integrale të tij është një garanci më shumë për paqen, stabilitetin dhe të ardhmen e vendeve të rajonit në Bashkimin Evropian.

Kurti takoi edhe kryeparlamentaren Nikolla, së cilës i shprehu vendosmërinë për zbatimin e planit europian. Pas bisedimeve në Kryesinë e Kuvendit, kryeparlamentarja theksoi:

Mbështesim dialogun midis Kosovës dhe Serbisë si rruga më e mirë dhe e vetme drejt njohjes së ndërsjellë mes dy vendeve, vlerësojmë Planin Evropian si një pikënisje e mirë për dialogun e mbështesim angazhimin e BE-së dhe SHBA-ve në zbatimin e aneksit të këtij Plani. Zbatimi i marrëveshjes mes Kosovës e Serbisë do të kontribuojë në forcimin e stabilitetit në Ballkanin Perëndimor dhe perspektivën e tij euroatlantike.