Celebrities Showbiz

Pas tragjedisë në Hjuston, vjen dhe reagimi i këngëtares së njohur!

Të paktën 8 persona humbën jetën e disa të tjerë janë plagosur në festivalin muzikor “Astroworld Festival” në Hjuston të Teksasit, në Shtetet e Bashkuara. Autoritetet amerikane po hetojnë rrethanat e vdekjes dhe sipas kryebashkiakut të Hjustonit, Sylvester Turner, ngjarja tragjike ndodhi kur në skenë performonte reperi amerikan, Travis Scott dhe njerëzit filluan të shtyheshin për nga skena.

Disa persona u rrëzuan dhe u shkelën nga turma, çka rezultoi fatale për një pjesë. Viktimat ishin të moshave 14-27/vjeç ndërsa 13 vetë u plagosën më 5 nëntor e vazhdojnë të trajtohen në spital.

Pas tragjedisë së ndodhur ka reaguar dhe këngëtarja e njohur SZA përmes një postim në Twitter. Artistja shkroi se kishte mbetur pa fjalë dhe se po lutej për të prekurit. Këngëtarja, emri i vërtetë Solana Imani Rowe, kishte performuar në festival vetëm disa orë para se të ndodhte tragjedia.

Pa fjalë për natën e kaluar, jam në fakt në shok dhe as nuk e di se çfarë të them. Po lutem për të gjithë në Huston, veçanërisht familjet e atyre që humbën jetën.

Para performancës ajo zbuloi se ishte ndjerë e sëmurë duke e vënë në dyshim daljen në skenë. Në një postim vijues në Twitter, ajo tha se kishte bërë testin e COVID-19, i cili i rezultoi negativ. Më vonë, SZA tha se ajo ishte ende duke planifikuar të bënte koncertin e saj atë natë në Austin, Teksas, pavarësisht se ndihej ende e sëmurë.

Të mbijetuarit e kanë përshkruar skenën si tejet kaotike, pasi njerëzit shtypën njëri-tjetrin për të marrë frymë. Të pranishëm ishin rreth 50 mijë persona e festivali “Astroworld”, i iniciuar nga Scott në vitin 2018 duhej të vazhdonte edhe ditën pasardhëse, por u ndërpre për shkak të ngjarjeve tragjike që pasuan.

Gjithashtu dhe Travis Scott ka reaguar nëpërmjet një postimi në llogarinë e tij në Twitter ku shprehu keqardhjen e tij për familjet e viktimave dhe se është i gatshëm të bashkëpunojë me organet përkatëse për të zgjidhur këtë çështje. Artisti e ndaloi koncertin e tij në momentin kur pa se një person ra pa ndjenja për t’u siguruar se çdo gjë ishte në rregull, madje sipas disa burimeve për “PageSix”, ka dhe një video në të cilën ai sheh që personi po merr asistencën e duhur dhe nuk e kuptoi se çfarë po ndodhte në të vërtetë. Burime afër tij kanë zbuluar se Travis është vërtetë shumë i mërzitur për këtë ngjarje dhe se ai nuk e kishte idenë se çfarë po ndodhte teksa po vijonte performancën e tij.