Aktualitet Film & Tv

Pas tragjedisë në sheshxhirim, Alec Baldwin anulon çdo projekt tjetër kinematografik!

Një ngjarje e rëndë, në dukje aksidentale në setin e filmit amerikan “Rust” në Nju Meksiko të Shteteve të Bashkuara tronditi botën e kinematografisë dhe jo vetëm. Policia është ende duke hetuar zinxhirin e ngjarjeve që çuan në këtë aksident tragjik nga ku mbeti e vrarë kinematografja Halyna Hutchins dhe u plagos regjisori Joel Souza.

Sipas ‘Associated Press’, një ndihmës-regjisor padashur i dha Alec Baldwin një armë të mbushur dhe i tha atij se ishte e sigurt të përdorej, vetëm pak çaste para të shtënave. Tashmë thuhet se Baldwin ka anuluar projekte të tjera pas incidentit në sheshxhirim. Një burim i afërt pranë aktorit tha për “People” se Baldwin po kërkon t’i kushtojë pak kohë vetes dhe të ripërqendrohet, siç ka bërë gjatë periudhave të vështira edhe në të kaluarën.

Kjo ishte shkatërruese për të. Kështu ai i trajton kohët e vështira. Sa herë që ndodh diçka e keqe, në një afat të shkurtër, ai largohet nga sytë e publikut. Ai ishte histerik dhe absolutisht i pangushëllueshëm për orë të tëra pas të shtënave. Të gjithë e dinë se ky ishte një aksident, por ai është absolutisht i shkatërruar.

Baldwin reagoi në lidhje me incidentin të premten në mëngjes, duke bërë një deklaratë në Twitter. Aktori u shpreh se:

Nuk ka fjalë për të përcjellë tronditjen dhe hidhërimin tim në lidhje me aksidentin tragjik që i mori jetën Halyna Hutchins, një gruaje, nëne dhe kolegeje të admiruar jashtëzakonisht. Unë jam duke bashkëpunuar plotësisht me hetimin e policisë për të trajtuar se si ndodhi kjo tragjedi dhe jam në kontakt me bashkëshortin e saj, duke i ofruar mbështetjen time atij dhe familjes së tij. Zemrën e kam të thyer për burrin e saj, djalin e tyre dhe të gjithë ata që e njihnin dhe e donin Halyna-n.

Policia e Santa Fe hoqi provat nga vendi i ngjarjes, përfshirë kostumin e Baldwin-it të lyer me gjak nga filmi, armën që u shkrep, si dhe armë të tjera mbështetëse dhe municione që përdoreshin në xhirime. Disa orë para tragjedisë, disa punonjës të ekuipazhit të kamerave u larguan nga sheshxhirimi për të protestuar ndaj kushteve të punës. Sipas burimeve të brendshme, disa nga ankesat e tyre përfshinin orë të gjata pune, udhëtime të gjata dhe pritje për pagat e tyre.