Bota

Pas trazirave, Sri Lanka zgjedh presidentin e ri!

Pas protestave masive për shkak të krizës së thellë ekonomike e trazirat që çuan në largimin nga vendi të presidentit, Gotabaya Rajapaksa, tashmë Sri Lanka ka një kryetar të ri shteti. Në postin e numrit një të Sri Lankës, deputetët vendosën me shumicë votash të zgjedhin kryeministrin e deritanishëm, Ranil Wickremesinghe, edhe pse ai nuk gëzon mbështetje në publik.

Ranil Wickeremesinghe bëhet njeriu i cili do të drejtojë shtetin në këtë kohë të vështirë kur ekonomia është në kolaps të plotë. Jo vetëm kjo, pasi mes sfidave që e presin, po ashtu është rikthimi i rendit publik, në vijim të protestave masive të muajve të fundit, të nxitura nga situata ekonomike. Parlamenti i Sri Lankës votoi sot për zgjedhjen e presidentit dhe Wickremesinghe kishte për rival, Dullus Alahapperumën.

Ish-presidenti i Sri Lankës, Gotabaya Rajapaksa, u largua nga shteti javën e kaluar. Fillimisht, ai shkoi në Maldive e më pas në Singapor, pasi mijëra protestues hynë në rezidencën presidenciale e të tjera ndërtesa qeveritare, duke kërkuar dorëheqjen e tij. Qëndrimi në detyrë u bë i pamundur për të.

Ndër të tjera, protestuesit e zemëruar kërkuan edhe dorëheqjen e Wickremesinghes, i cili ishte emëruar në postin e kryeministrit në muajin maj. Manifestuesit dogjën banesën e tij private, por gjithashtu sulmuan zyrën e kryeministrit në Kolombo, duke sfiduar udhëheqjen e tij.

Pavarësisht se protestuesit vazhdimisht kanë kërkuar dorëheqjen e Wickremesinghes, kjo nuk u bë pengesë që ai të marrë postin e ushtruesit të detyrës së presidentit, menjëherë pasi Rajapaksa u largua. Wickremesinghe do të jetë në postin më të lartë, deri në nëntor të vitit 2024.

Sri Lanka po përballet me mungesë të furnizimeve elementare, përfshirë ato në ushqime dhe karburante. Wickremesinghe do të tentojë të rikthejë stabilitetin politik në këtë shtet, në mënyrë që të mund të nisë negociatat me Fondin Monetar Ndërkombëtar, FMN për një paketë shpëtimi nga kriza.