Rajoni

Borrell: Propozimi jonë u pranua nga Vuçiç por jo nga Kurti; të dy janë përgjegjës

Shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, tha se Kosova dhe Serbia nuk arritën ndonjë marrëveshje për çështjen e targave. Borrell priti të hënën në Bruksel kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

“Pas shumë orë diskutimesh, dy palët nuk u pajtuan për zgjidhjen sot”, tha Borrell për gazetarët. “Ekziston një përgjegjësi e madhe për dështimin e bisedimeve sot dhe për çfarëdo përshkallëzimi dhe dhune që mund të ndodhë në terren në ditët në vazhdim”, shtoi ai.

Paraprakisht, Vuçiq tha se në bisedimet me Kurtin për çështjen e targave, “nuk është arritur absolutisht asnjë marrëveshje”.

Megjithatë, shtoi ai, pala serbe do t’i respektojë “këshillat dhe kërkesat” e kryediplomatit evropian, Josep Borrell, i cili ndërmjetësoi bisedimet.

“Ai kërkoi që ata zyrtarët kosovarë të mos shqiptojnë gjoba, e që ne mos të lëshojmë targa të reja KM – për ç’gjë ne kemi thënë se është në rregull. Ne do ta respektojmë këtë. Do të shohim se çfarë do të bëjë pala tjetër”, tha Vuçiq.

“Nuk mendoj se ka ndodhur ndonjë tragjedi, por, natyrisht, nuk do të jetë një periudhë e lehtë”, tha ai dhe shtoi se Serbia “do t’i qëndrojë pranë popullit serb” në Kosovë.

Me ndërmjetësimin e kryediplomatit të BE-së, Borrell, udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë u takuan të hënën për të diskutuar rreth targave të automjeteve në Kosovë – çështje kjo që ka rritur tensionet mes dy vendeve.

Qeveria e Kosovës ka nisur më 1 nëntor zbatimin e planit të saj për riregjistrimin e makinave me targa të paligjshme serbe në targa RKS, apo Republika e Kosovës.

Serbia, e cila lëshon targa të paligjshme për serbët e Kosovës që nga paslufta më 1999, e kundërshton këtë plan, duke insistuar në targa neutrale ndaj statusit të Kosovës.

Si pasojë e tensioneve të ngritura, serbët e veriut të Kosovës – ku qarkullojnë kryesisht makinat me targa të paligjshme – kanë dhënë dorëheqje nga institucionet e Kosovës.

Duke folur për gazetarët në Bruksel, Vuçiq tha se “pala serbe ka qenë konstruktive” në bisedime.

Borrell, fillimisht, mbajti takime ndaras me kryeministrin Kurti dhe presidentin Vuçiq.

Borrell tha mbrëmë se e ka thirrur këtë “takim urgjent”, për shkak të nevojës për të shtensionuar situatën.

“… t’i japim fund menaxhimit të krizave të vazhdueshme dhe në vend të kësaj të fillojmë të përparojmë drejt normalizimit të marrëdhënieve”, shkroi ai në Twitter.

Takimi i sotëm në Bruksel është thirrur një ditë para nisjes së zbatimit të fazës së dytë të planit të Qeverisë, përkatësisht shqiptimit të gjobave prej 150 eurosh për shoferët me targa ilegale.

Serbët në veri të Kosovës, ku përbëjnë shumicën, kanë paralajmëruar se do të kundërshtojnë shqiptimin e gjobave, ashtu siç kanë kundërshtuar gjithë vendimin e Qeverisë për targa.