Aktualitet

Pasi i refuzoi rekursin, Gjykata e Lartë zbardh vendimin për Lefter Kokën!

Gjykata e Lartë zbardh vendimin e marrë për Lefter Kokën, pasi ish-ministri i Mjedisit i bëri rekurs vendimit të Gjykatës së Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar. Aty arsyetohet:

Kolegji vlerëson se, gjykatat e faktit kanë arsyetuar drejtë, së pari në lidhje me dyshimin e arsyeshëm të bazuar në prova që i dyshuari mund të ketë kryer veprat penale, të cilat i atribuohen nga prokuroria. Gjykatat kanë arsyetuar gjithashtu edhe në lidhje me kushtet dhe kriteret për caktimin e masës së sigurimit “Arrest në burg”, të parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale ndaj personit nën hetim Lefter Koka dhe përse kjo masë sigurimi personal përbën masën më të përshtatshme dhe në përputhje me nevojat e sigurimit në rastin objekt shqyrtimi.

Në lidhje me pretendimet për provueshmërinë e akuzës ndaj kërkuesit, Kolegji vlerëson se këto çështje nuk i përkasin kësaj faze procedurale. Në fazën e hetimeve paraprake në të cilën ndodhet çështja, gjykata e hetimeve paraprake ka arsyetuar në lidhje me masën e sigurimit të caktuar ndaj personit nën hetim. Pretendimet e tjera që i përkasin themelit të çështjes do të gjykohen në një fazë të mëvonshme, gjatë shqyrtimit të çështjes në themel (nëse çështja penale do të avancojë deri në atë fazë).

Gjykata e Lartë ka rrëzuar pretendimet për kushtet shëndetësore të rënduara të kërkuesit, Koka.

Në lidhje me pretendimet për kushtet shëndetësore të rënduara të kërkuesit, që nuk përligjin vijueshmërinë e masës së sigurimit personal “arrest në burg”, Kolegji vlerëson se këto pretendime janë shqyrtuar një herë dhe kanë marrë përgjigje të arsyetuar nga gjykata e apelit. Gjatë shqyrtimit të rekursit në dhomën e këshillimit nuk konstatohet se ka zbatim të gabuar të ligjit material apo procedural në vendimmarrjen e kësaj gjykate, vendimi i së cilës është rekursuar në Gjykatën e Lartë.

Sa më sipër, Kolegji arrin në përfundimin se, rekursi i paraqitur nga kërkuesi Lefter Koka kundër vendimit nr. 01, datë 02.01.2022 të Gjykatës së Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar nuk përmban asnjërin prej shkaqeve të parashikuara në nenin 433 të Kodit të Procedurës Penale, prandaj si i tillë ai nuk duhet të pranohet. Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, duke u bazuar në nenet 433 dhe 441/1/a të Kodit të Procedurës Penale; vendosi: Mospranimin e rekursit të paraqitur nga kërkuesi Lefter Koka kundër vendimit të Gjykatës së Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

Ish-ministri Lefter Koka mbetet në burg pas vendimit të marrë më 31 mars nga Gjykata e Lartë, e cila i ka refuzuar rekursin për t’u liruar nga masa e sigurimit “Arrest në burg” pas akuzave për aferën 3.7 milion euro për çështjen e inceneratorit të Elbasanit. Ai u la në burg nga apeli i GJKKO-së më 25 shkurt. SPAK e akuzon për shpërdorim të detyrës, pastrim të parave dhe korrupsion.