Bota

Pasojat e luftës në Ukrainë, Europa pret përballjen me momente të vështira!

Referuar pasojave ekonomike të luftës në Ukrainë, presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen paralajmëron periudha të vështira përpara për familjet dhe bizneset në Europë. Duke folur sot në Parlamentin Europian, në Strasburg, zyrtarja e lartë theksoi:

Momentet përpara nesh nuk do të jenë të lehta. Qoftë për familjet që po luftojnë për të përballuar nevojat apo bizneset që po përballen me zgjedhje të vështira në lidhje me të ardhmen e tyre. Le të jemi të qartë. Rreziku është jo vetëm për Ukrainën, por për të gjithë Europën dhe botën në përgjithësi.

Kjo nuk është vetëm një luftë e nisur nga Rusia kundër Ukrainës. Kjo është gjithashtu një luftë për energjinë tonë, një luftë ndaj ekonomisë sonë, një luftë ndaj vlerave tona, është një luftë për të ardhmen tonë.

Në gusht, inflacioni arriti në 9.1% në Eurozonë, kryesisht i nxitur nga kostot e energjisë, të cilat janë rritur me 38,3% krahasuar me vitin e kaluar, duke ngritur shqetësimet për një recesion të mundshëm.

Po në PE, von der Leyen nuk la pa përmendur Ballkanin Perëndimor. Ajo këmbëngul që shtetet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë Shqipërinë si dhe Ukraina, Gjeorgjia e Moldavia, të bëhen pjesë e familjes europiane. Në fjalimin e përvitshëm në Parlamentin Europian theksoi: Pa këto shtete, Unioni ynë nuk do të jetë i kompletuar. Sipas shefes së KE-së, “mënyra më e shpejtë për të zgjeruar sundimin e demokracisë është duke forcuar lidhjet me vendet demokratike në kontinentin europian”.

Ursula Von der Leyen u kujdes ta përmendte Ballkanin Perëndimor në disa pjesë të fjalimit kur nënvizoi nevojën që të rishqyrtohet politika e jashtme e Bashkimit Europian. Sa i përket rrugës së anëtarësimit në BE, presidentja e KE-së mbështeti idenë për formimin e një Bashkësie Politike Europiane, duke shtuar se mbi këtë temë, propozimet do të paraqiten gjatë samitit të bllokut europian.