Aktualitet

Pasojat e motit të keq në Tropojë, vijon puna për rikthimin në normalitet!

Në Tropojë, një prej zonave të goditura dje nga moti i keq me reshje intensive shiu që shkaktuan përmbytje në disa fshatra e bllokim të rrugëve kombëtare vazhdon puna për eliminimin e pasojave. Edhe pse në pjesën më të madhe u rikthye normaliteti, raportohet se aktualisht është pa energji elektrike Njësia Administrative e Fierzës dhe fshati Valbonë.

Në orët e para të mëngjesit, në zonat e prekura nga përmbytjet, shkuan ekipe të Emergjencave Civile, ndërsa nga Bashkia Tropojë u dërgua një fadromë për të pastruar rrugën Tragetet-Dushaj, si dhe një tjetër punon në fshatin Degë.

Reshjet më intensive të 20 viteve të fundit në Tropojë, dje shkaktuan dëme të konsiderueshme në infrastrukturën rrugore, banesa dhe toka bujqësore. Në segmente të caktuara pati shembje e gërryerje, ndërsa rezervuarët janë në kuotat maksimale.

Një ditë më parë, Agjencia e Mbrojtjes Civile njoftoi në fshatin Lumi, njësia administrative Margegaj u bllokuan 7 familje nga prurjet e shumta. U dëmtuan disa ura, ndërsa në Njësinë Administrative Bujan u rrezikua ura në Disdar si pasojë e prurjeve të shumta të lumit Bushtricë. Dëme pati edhe në bagëti. Po ashtu, pati ndërprerje të energjisë në njësitë administrative Llugaj, Bytyç Margegaj.

Ministria e Mbrojtjes dhe Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile u bën thirrje të gjithë banorëve që kanë probleme të kontaktojnë me autoritetet. Forcat e Armatosura janë përherë në gatishmëri për të dhënë ndihmën e tyre, në çdo rast emergjence.

Për ditën e sotme, vendi ynë do të vijojë të ndikohet nga kushte relativisht të paqëndrueshme atmosferike, por me një përmirësim krahasuar me dje. Fillimisht dominojnë alternime vranësirash mesatare deri të dendura e kthjellimesh. Në orët e mesditës, vranësirat do të shoqërohen me reshje shiu të herëpas’hershme, me intensitet të ulët. Pasdite, na pret mot i kthjellët në të gjithë territorin e me vranësira fare të pakta kalimtare në relievet malore në lindje. Temperaturat variojnë 10-27 gradë celcius.