Aktualitet

Pasojat e motit të keq në vend/Problematika në Gjirokastër e ndalim lundrimi në Vlorë!

Për shkak të motit të keq, në Vlorë ndalohet lundrimi i mjeteve të vogla, deri nesër 28 dhjetor. Vendimi i Kapitenerisë, nuk prek tragetet.

1.Në  bazë  të  parashikimit  për  situatën  hidrometeorologjike  të  përkeqësuar  në  gjirin  e  Vlorës  dhe  jashtë saj  për  datat 26-27.12.2021 në drejtimin  Jug-JugLindje  në  forcën  4-5bft, 7-10m/s, lartesi dallge 0.50-1.00m brenda gjirit  të  Vlorës dhe  jashtë  gjirit  të  Vlorës  në  forcën  6-7 deri 8bft  15-20m/s  dhe  lartësi dallge  nga  1.50  deri 2.50  metra.

2. Është  ndaluar dhënia  e  leje-nisjes  e  të  gjitha  mjeteve  të  vogla lundruese ,  anijeve të  peshkimit  që  operojnë  jashtë  gjirit të  Vlorës dhe marrjen e masave për sigurimin  e  tyre.

3. Me kushtet hidrometeorologjike te parashikuara, trageti i linjes Vlore-Brindisi-Vlore nuk ka pezullime për kryerjen e aktivitetit.

4. Përkeqësimi i  situatës meteorologjike  të  përkeqësuar  në  gjirin e  Vlorës  dhe  jashtë  saj  për  mjetet  e  vogla lundruese  dhe  të peshkimit  do të  jetë  mbas  datës  28.12.2021/06:00.

Ndërkaq, në Gjirokastër, banorët e lagjes Lënxat në Lazat vazhdojnë të qëndrojnë të izoluar nga pjesa tjetër e fshatit. Nga shirat që bien papushim, dalja e Përroit të Sopotit nga shtrati e bën të pamundur kalimin e automjeteve dhe kalimtarëve.

Po si rezultat i shirave të rrëmbyer, janë krijuar probleme në furnizimin me energji elektrike në disa zona në Gjirokastër. Defekte serioze ka në katër fidera të linjës 10 kV. Me ndërprerje përballen banorët në Kordhocë të Lazaratit, në Bulo, disa fshatra të njësive administrative Zagorie, Grapsh, Dropull, si dhe në Maricaj të njësisë Buz. Grupet e OSHEE-së Rajoni Gjirokastër ndodhen në terren për riparimin e dëmeve.

Operatori i Sistemit të Shpërndarjes, (OSSH) bën të ditur se po vijon puna për riparimin e defektit në dy fiderat e nenstacionit Shkodra 1.

Megjithë kushtet e këqija të motit, grupet e avarisë së OSSH Shkodër janë në terren duke punuar për riparimin e defektit në dy fidera të nënstacionit Shkodra 1 dhe rikthimin e energjisë sa më parë tek tē gjithë abonentët.

 

Shqipëria është sot nën “darën” e motit të keq, me reshje shiu e gjithashtu dëbore. MeteoAlb njofton për kushte të paqëndrueshme atmosferike në këtë fillimjavë ndërsa jemi në ditët e fundit të vitit 2021. Më të dendura, shirat janë në zonat veriore e pjesërisht në qendër të territorit, ku intensiteti i tyre është i lartë. Në zonat e thella malore priten reshje të pakta dëbore, kryesisht verilindja. Temperaturat luhaten në vlerat nga 1 në 18 gradë celcius.