Bota Tech

Pasuria e Elon Musk thyen rekordin e vendosur nga Rockefeller!

Në vitin 2021 ishin dhjetë sipërmarrës me asete mbi 100 miliardë dollarë dhe mbi 200 që kanë grumbulluar të paktën 10 miliardë pasuri. Ndër të gjithë, spikati themeluesi i Tesla-s, Elon Musk i cili e ka shtyrë veten drejt majave që vetëm John D. Rockefeller kishte arritur në fillim të viteve 1900.

Musk e mbylli vitin 2021 me vlera të krahasueshme: 273.5 miliardë dollarë, 75% më shumë se 2020, falë performancës së shkëlqyer të Tesla-s së tij në bursë. Në vendin e dytë në distancë është Jeff Bezos (194.2 miliardë) i cili e filloi vitin 2021 në krye, por u tejkalua nga Musk sepse Amazon u rrit vetëm me 2% në vit.

Medalja e bronztë i shkon francezit Bernard Arnault. Pronari i gjigantit luksoz LVMH është i vetmi evropian në 10-shen e ‘Bloomberg’ me asete prej 177.1 miliardë dollarësh, edhe falë investimeve të rëndësishme të bëra, si 15.8 miliardë dollarë të shpenzuar në fund të 2020 për bizhuteritë e Tiffany.

Në renditjen e ‘Forbes’ ka 44 njerëz të rinj të pasur, përfshirë Melinda Gates dhe dy bashkëthemeluesit e Moderna, kompania bioteknike që prodhoi vaksina kundër COVID-19. Ndër të tjerë emra në dhjetëshen më të pasur listohen edhe Bill Gates apo Mark Zuckerberg.

Rikujtojmë, se së fundmi pronari i kompanisë SpaceX, Elon Musk ka hedhur poshtë pretendimet se projekti i tij satelitor ‘Starlink’, është duke zënë shumë vend në hapësirë. Ai ka thënë se “Dhjetëra miliarda” satelitë mund të vendosen në orbita afër Tokës.

Komentet e tij vijnë pas pretendimit të Josef Aschbacher, udhëheqësit të Agjencisë Evropiane të Hapësirës se Musk është duke “krijuar rregullat” për industrinë komerciale në hapësirë. Këtë javë Kina është ankuar se stacioni i saj hapësinor është detyruar të shmangë përplasjet me satelitët e Starlink. Musk ka reaguar duke thënë në një intervistë se:

Hapësira është jashtëzakonisht e madhe dhe satelitët janë shumë të vegjël.