Bota

Pavarësia nga gazi rus i Europës dhe roli kryesor i Greqisë!

Sipas Komisionit Europian, “infrastruktura e re e importit dhe tranzitit të gazit në Greqi është çelësi për pavarësinë totale të Europës Juglindore”. Krahas projekteve që po zbatohen, javën e kaluar, Ministria greke e Mjedisit dhe Energjisë nxori një opinion pozitiv për ndërtimin e gazsjellësit “EastMed”, (Qipro-Greqi-Itali) duke specifikuar kërkesat paraprake mjedisore të projektit.

Tubacioni greko-bullgar i gazit natyror, që pritet të vihet në punë gjatë verës, rezervuari i ri i gazit natyror të lëngshëm në Revythousa, i cili gjithashtu pritet të funksionojë në verë, rezervuari lundrues i gazit natyror të lëngshëm në Aleksandropolis më 2023-in, janë projektet e para që Komisioni Europian përfshiu në njoftimet mbi programin e BE-së, RePower.

Ky program synon zëvendësimin e gazit e hidrokarbureve nga Rusia, pavarësisht origjinës, me zhvillim të mëtejshëm të burimeve të rinovueshme, diversifikimin e atyre të furnizimit, si dhe fuqizimin e kursimeve të energjisë.

Ndërkohë, Gazpromi rus ndali eksportet e gazit për Finlandën fqinje. Njoftimin e konfirmoi dje kompania shtetërore finlandeze, Gasum. Gazprom u kërkon shteteve europiane ta paguajnë gazin në rubla, për shkak të sanksioneve të Perëndimit ndaj Moskës, si pasojë e luftës në Ukrainë. Helsinki e refuzoi një kërkesë të tillë.

Importet e gazit përmes pikës hyrëse Imatra u ndalën.

Edhe Gazprom konfirmoi se ka ndalur “plotësisht dërgesat e gazit”, pasi nuk mori pagesat në rubla “deri në orët e fundit të datës 20 maj”. Gasum deklaroi se “gazi natyror do të sigurohet nga rrugë tjera, që lidhin Finlandën me Estoninë”. Gasum, qeveria finlandeze dhe kompani të gazit në Finlandë, njoftuan se janë të përgatitur për një ndalesë të tillë e se ky shtet do ta menaxhojë situatën edhe pa gazin rus. Hapi i palës ruse vjen pas vendimit të Finlandës për të aplikuar për anëtarësim në NATO, duke synuar të rrisë sigurinë, nxitur nga agresioni rus në Ukrainë që vijon prej 24 shkurtit.