Bota

Pavarësisht protestave, senati francez miraton reformën për rritjen e moshës së pensionit

Senati francez miratoi të shtunën reformën e diskutueshme të pensioneve me 195 vota pro dhe 112 vota kundër. Masa kryesore e projektligjit është rritja e moshës së pensionit me dy vjet, në 64. Dhoma e sipërme e parlamentit francez votoi draftin në vazhdën e protestave masive në të gjithë vendin.

Sipas sondazheve, shumica e votuesve e kundërshtojnë planin. Tani që Senati ka miratuar projektligjin, ai do të shqyrtohet nga një komitet i përbashkët i ligjvënësve të dhomës së ulët dhe të lartë. Nëse komiteti bie dakord, votimi përfundimtar në të dyja dhomat mund të bëhet të enjten.

Votimi erdhi disa orë pasi qindra mijëra njerëz marshuan sërish në protestë në të gjithë vendin të shtunën. Marshimet mbarëkombëtare u përforcuan nga grevat e vazhdueshme në sektorët kryesorë, nga energjia te transporti.