Aktualitet Politikë

PD depoziton në Kuvend ligjin e Lustracionit!

Nënkryetari demokrat, Oerd Bylykbashi depozitoi në Kuvend ligjin e plotë të lustracionit të hartuar nga demokratët, duke theksuar se “qëllimi i kësaj nisme është që në funksionet drejtuese të shtetit shqiptar dhe në një seri funksionesh publike të rëndësishme, të mos jenë më funksionarët e lartë politikë të PP, drejtuesit e aparatit të dhunës së Ministrisë së Brendshme, Hetuesisë, Prokurorisë, ish-Sigurimit të Shtetit dhe bashkëpunëtorët e këtij sistemi”.

E depozitojmë me qëllim që në funksionet drejtuese të shtetit shqiptar dhe në një seri funksionesh publike të rëndësishme, funksionarët e lartë politikë të PP-së, drejtuesit e aparatit të dhunës së Ministrisë së Brendshme, Hetuesisë, Prokurorisë, ish-Sigurimit të Shtetit dhe bashkëpunëtorët e këtij sistemi, që kanë kryer aktivitet duke dhunuar të drejtat e shqiptarëve, të mos jenë më në funksione publike.

Ky është një ligj që shkon në mënyrë të plotë dhe serioze deri në fund të këtij problemi dhe bazohet te eksperienca e mëparshme dhe ligji i vitit 2008 duke u pasuruar edhe me një bazë të re kushtetuese që është neni 6/1 i Kushtetutës.

Ne gjykojmë që përputhshmëria është e plotë, sepse është e njëjta bazë kushtetuese që u përdor për të larguar kriminelët nga politika​. Baza kushtetuese është e re dhe ky do të jetë një ligj që do të miratohet me 3/5. Kemi marë parasysh një parim për ndarjen e pushtetit dhe respektimin e garancive, por ashtu si ligji i dekriminalizimit zgjidhen këto aspekte.

Në këtë valë debati, ne siç e kemi premtuar vijmë me këtij ligj që jo vetëm garanton hapjen e plotë të dosjeve, por çdo qytetar ka të drejtë të kërkojë dhe të bëjë hapjen e dosjes së vet.

Kushtetuta e parashikon të drejtën e deputetëve për të paraqitur një projektligj dhe ne po i përgjigjemi një debati që ka një sensibilitet të shtuar. Po i përgjigjemi me një ligj të plotë, që është lustracioni. Kush ka qenë pjesë e strukturave kriminale të komunizmit, nuk mund të marrë asnjë post publik për një periudhë të caktuar dhe ata që i kanë do të largohen.

Sigurisht që PS-së ky ligj i dhemb shumë, pasi dy herë e kanë goditur në Gjykatë Kushtetuese dhe do të shohim nëse do të vazhdojnë të jenë mbrojtësit e flaktë të krimeve të komunizmit siç kanë qenë deri më sot dhe do të dalë qartë hipokrizia e këtyre propozimeve që kanë deri tani në Parlament.