Aktualitet Politikë

PD e akuzoi se është përfshirë në aferën e gazit të Albpetrol/ Gjiknuri i përgjigjet: “idiotë të dobishëm” kompania nuk ka shitur ndonjëherë gaz.

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste Damian Gjiknur i është përgjigjur akuzave të Partisë Demokratike për aferën e gazit të Albpetrolit me një dëm ekonomik prej 230 mijë euro.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Gjiknuri theksin se “Albpetroli” nuk ka shitur ndonjëherë gaz.

Sipas tij, ‘kjo është fiks si historia e atyre që bërtisnin pse nuk bie këmbana e Kishës dhe në fund kuptojne se Kisha nuk kishte fare këmbanë’.

Reagimi i plotë:

Mesa duket kam nisur ta bëj mirë punën e re në parti, përderisa u rivura në shënjestër nga ata që nuk dinë të bëjnë punën e tyre! Të paktën të dinin që “Albpetroli” nuk ka shitur ndonjëherë gaz, se as blerës nuk ka. Nuk po pretendon njeri që të nxirrnin kontratën e shitjes, sepse ajo nuk ka sesi ekziston, kur shitje s’ka pasur!

Për hir të transparencës ndaj opinionit publik, jo për të sqaruar “idiotët e dobishëm”, që publikojnë lajme të rreme apo sponsorizojnë ato ekonomikisht dhe politikisht, vlen sqarimi sa më poshtë:
Vendburimi Cakran-Mollaj është një vendburim nafte, ku gjatë procesit të prodhimit të naftës bruto, çlirohet njëkohësisht edhe Gaz Shoqërues (Gaz me parametra të ulët). Ky gaz, në mungesë të konsumatorit, digjet rregullisht në atmosferë përmes pajisjeve speciale. “Albpetrol”, në vitin 2017, tentoi t’i jepte vlerë ekonomike këtij produkti, duke e shitur përmes një ankandi publik.

Ankandi është zhvilluar në mënyrë transparente dhe çmimi u vendos në përputhje me metodologjitë e Bashkimit Europian, duke marrë si referencë bursën më të madhe në Europë për gazin, Bursën e Hollandës (Dutch TTF). E njëjta metodologji përdoret për naftën, ku çmimi përcaktohet sipas BRENT (Bursës së Londrës).

Fituesi i Ankandit u shpall kompania CGC me çmimin 80% të bursës. Pra nuk ka një çmim fiks, por çmimi është referencë e çmimit të bursës. Gjithsesi, kompania fituese e Ankandit nuk u paraqit për të lidhur kontratën për blerjen e gazit. Në këto kushte, “Albpetrol” sh.a bëri ekzekutimin e garancisë së ofertës, duke ndjekur rrugën ligjore. (Bashkëngjitur njoftimi për konfiskimin e sigurimit të ofertës)
Në asnjë rast, asnjë metër kub gaz nuk është shitur nga kompania “Albpetrol” sh.a tek kompania CGC. Gazi shoqërues i vendburimit Cakran-Mollaj vazhdon të digjet në atmosferë, pasi nuk ka asnjë kompani apo person të interesuar për blerjen e tij.
Kjo është fiks si historia e atyre që bërtisnin pse nuk bie këmbana e Kishës dhe në fund kuptojne se Kisha nuk kishte fare këmbanë.

Akuzat e PD pë Gjiknurin

Deputetja e PD, Ina Zhupa akuzoi më herët ish-ministrin e Energjitikës, Damian Gjiknurin, se është i përfshirë në aferën e gazit të Albpetrolit me Mirel Mërtirin e inceneratorëve, me një dëm ekonomik prej 230 mijë euro.

Sipas Zhupës, kjo është një skemë korruptive për shitjen e 3 milionë metër kub gazi industrial nga vendburimet Cakran-Mollaj/Ballsh-Hekal, e cila ka në qendër Gjiknurin, ish-drejtorin e Albpetrolit, Endri Puka dhe Mirel Mërtirin e afërave të inceneratorëve.

Ajo thekson se ky skandal, prej vitesh i ka shpëtuar shqyrtimit të drejtësisë dhe meriton një hetim të shpejtë dhe gjithëpërfshirës.

DEKLARATË E PARTISË DEMOKRATIKE, ZËDHËNËSJA INA ZHUPA

Prej ditësh kryeministri flet për një krizë energjitike që ka goditur vendin tonë, sipas të cilës është shtyrë të marrë 200 milionë euro borxh për të mbushur gropat korruptive në llogaritë e KESH dhe OSHEE.

Këto ditë, Partia Demokratike ka treguar me fakte dhe prova se nuk jemi në një krizë të energjisë, por në një krizë korrupsioni, të cilën qeveria kërkon t’ia faturojë qytetarëve.
Kjo krizë korrupsioni u pasurua orët e fundit edhe me një investigim mediatik, të kryer nga portali Hashtag, i cili tregon se si sektori i energjisë është trajtuar si një plaçkë në shërbim të klientëve të qeverisë, në dëm të interesave të qytetarëve.

Një skemë korruptive për shitjen e 3 milionë metër kub gazi industrial nga vendburimet Cakran-Mollaj/Ballsh-Hekal, e cila ka në qendër ish-ministrin e Energjitikës Damian Gjiknuri, ish-drejtorin e Albpetrolit, Endri Puka dhe Mirel Mërtirin e afërave të inceneratorëve.
Në operacionin e zhvilluar në muajt gusht-tetor 2017, Mirel Mërtiri, nëpërmjet kompanisë CGC, i ka bërë Albpetrolit një ofertë të pakërkuar për blerjen e gazit.

Pas marrjes së ofertës, Endri Puka, kreu i Albetrolit, dhe Damian Gjiknuri, ministër i Energjitikës, kanë përzgjedhur një metodologji për shitjen e gazit industrial të ndryshme nga ajo e ERE-s, një metodologji që bazohej në bursën hollandeze dhe që shoqërohej me një koefiçent zbritës, në shërbim të Mirel Mërtirit, jo të interesave të kompanisë publike.

Sipas hulumtimit, edhe pasi kanë aplikuar një formulë të ndryshme nga ajo zyrtarja e ERE-s për llogaritjen e çmimit, treshja Gjknuri-Puka-Mërtiri, nuk e kanë respektuar atë formulë, pasi sipas kësaj formule, çmimi dilte me koston 25.33 lekë­/Nm³, ndërsa Mërtiri e siguroi blerjen e gazit me vlerën 15 lekë/Nm³.

Pra, falë bashkëpunimit mes Gjiknurit dhe Pukës, Mirel Mërtiri, dhe vëllain e tij, Ervin Mërtiri, që atë kohë ishte në krye të drejtorisë që mbulonte shitje e sasive të gazit për Albetrolin në drejtorinë e Tranagatit, e ka blerë gazin me një ulje prej 230 mijë e 913 euro nga çmimi që impononte formula e përdorur.

Kjo kontratë e lidhur në fshehtësi të plotë nga treshja Gjiknuri, Puka Mërtiri, rezulton e zhdukur nga protokolli i Albpetrol, nxjerr në pah se si nën drejtimin e Ramës dhe ministrave të tij, shteti është kthyer në një shtet privat që i shërben interesave të klientëve të pushtetit, në dëm të interesave të familjeve shqiptare.

Kjo kontratë korruptive, që prej vitesh i ka shpëtuar shqyrtimit të drejtësisë, meriton një hetim të shpejtë dhe gjithëpërfshirës, pasi teksa Rama flet për krizë të energjisë, dëmet e bëra nga kjo bandë e babëzitur pikërisht në sektorin e energjisë, nuk mund të paguhen nga qytetarët, por duhet të paguhen nga përgjegjësit e krizës së korrupsionit.