Aktualitet Politikë

PD e Alibeajt ankimon në KAS regjistrimin e “Bashkë Fitojmë”!

Me argumentin se disa kandidatë i përdorin logon e krijojnë konfuzion, Partia Demokratike me kryetar të komanduar Enkelejd Alibeajn ankimon në KAS regjistrimin e koalicionit “Bashkë Fitojmë” në vendoret e 14 Majit. Subjekti i Alibeajt u regjistrua nga KQZ që gjithashtu regjistroi koalicionin “Bashkë Fitojmë”, por pa PD-në e Berishës, vetëm me partitë e Ilir Metës, Nard Ndokës e Vangjel Dules, pra PL-në, PDK-në e PBDNJ-në. Në kërkesën e Partisë Demokratike të depozituar ditën e sotme në Komisionin e Ankimeve dhe Sanksioneve, thuhet:

Kërkesa për regjistrimin e koalicionit të Ilir Metës e Sali Berishës, në marrëveshjen mes tyre përmban referenca të Partisë Demokratike të Shqipërisë dhe në kushtet kur kjo e fundit as nëpërmjet kryetarit të saj apo ndonjë personi tjetër të autorizuar nga ana e tij, nuk ka shprehur vullnetin për të qenë pjesëmarrëse në këtë koalicion, vendimi i kryekomisionerit Ilirjan Celibashi për regjistrimin e koalicionit “Bashkë Fitojmë”, duhet të zhbëhet!

E ndërsa argumenton se koalicioni nuk duhet të regjistrohet si subjekt zgjedhor, Partia Demokratike thotë se “marrëveshjes i mungon edhe një element tjetër i rëndësishëm” që sipas saj “ka të bëjë me përcaktimin e numrit të kandidatëve nga secila parti politike”. Më tej, në kërkesën e PD-së nënvizohet:

Në kushtet kur subjekti “Komisioni i Përkohshëm i Rithemelimit” është përjashtuar nga marrëveshja, mbetet e paqartë se cila parti politike do të propozojë kandidatët e koalicionit.

Edhe pse Sali Berisha u përjashtua nga Celibashi si pjesë e koalicionit që në përbërje mbeti vetëm me Partinë e Lirisë, Partinë Demokristiane dhe Partinë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, vendimi la të pakënaqur Partinë Demokratike, e cila sot dërgoi sot ankimim në KAS, pikërisht kundër këtij koalicioni.

Partia Demokratike jep argumente, të tilla si përdorimi i emrit dhe simboleve, pa vullnetin e kryetarit të komanduar, Enkelejd Alibeaj. Po ashtu, mbetet e paqartë se cila prej partive politike do të propozojë kandidatët për bashkitë e anëtarët e Këshillit Bashkiak.