Politikë

PD e ndarë, Berisha: ‘Lulzim Boshi’, tradhtar i demokracisë! Basha e ‘kursen’: S’e shkulëm dot mentalitetin komunist

Në Ditën e Rinisë, ish-kryeministri Sali Berisha bëri homazhe te shtatorja në Qytet Studenti dhe mbajti një fjalim në krah të bashkëshortes së Azem Hajdarit, dhe djalit të vogël, Azemit. Lideri historik i PD-së tha se Azemi shkallmoi dyert e mbyllura të lirisë.

“Ata që nisën këtë revolucion, Azem Hajdari që i pritu atij me guxim të jashtëzakonshëm firmosën një nga faqet më të ndritura të lirisë së kombit. Lëvizja Studentore e Dhjetorit ’90” u shpreh ndër të tjera Berisha.

Berisha ka akuzuar sërish kryetarin e Partisë Demokratike Lulzim Basha dhe e ka bërë përgjegjës “për humbjet një pas një të PD” në zgjedhje, ndërsa nuk munguan as akuzat ndaj Kryeministri Rama, për të cilin thotë se sapo nisi lëvizja studentore ia mbathi në Korfuz dhe u kthye pasi përfundoi gjithçka.

“PD dorëzoi pushtetin me zgjedhje në vitin 2013 dhe doli në opozitë. Në pushtet erdhën ata që u përmbysën me votën e lirë në 22 mars të vitit 92’. Bijtë e tyre, erdhi Edi Rama, i cili në dhjetor të 90’ sapo filloi lëvizja studentore ja mbathi në Korfuz dhe u kthye pasi përfundoi çdo gjë. Në këto 8 vite ai me lidhjet e tij të tmerrshme me krimin, me nostalgjinë e etërve të tij, çbëri? Në mënyrë kriminale arritjet e mëdha të njëpasnjëshme jetësore të shqiptarëve, në këto 8 vite koha jo vetëm ndaloi në shumë aspekte por ajo bëri dhe prapakthehu. Në këto 8 vite PD, demokratët derdhën lumenj djerse, sakrifica, por mjerisht ata kaluan nga një humbje në tjetrën, jo për shkak të tyre, por krejtësisht për shkak të një njeriu, i cili pas 8 vitesh, meriton të quhet as pak as më shumë se Lulzim Boshi, ose pen kryetari. Në 8 vite shqiptarët u larguan nga Shqipëria njëlloj si në 91’”, tha ish kreu i PD-së

Ish kryeministri ka ende fjalë për kryedemokratin Basha, të cilin e quan tradhtarin më të madh, ndërsa Edi Ramën e cilëson si armikun më të egër të pluralizmit.

Në 8 vite PD pushoi së qeni ajo që ishte, drejtuesi i saj preu një nga një kolonat mbi të cilat ajo ishte ngritur, parimet dhe idealet mbi të cilat ajo qëndronte. Nëse sot themi se Edi Rama është armiku më i egër i pluralizmit, armiku më i egër i demokracisë, Lulzim Basha është pa asnjë diskutim tradhtari më i madh i tyre tha Berisha.

Kreu i PD, Basha: S’e shkulëm dot mentalitetin komunist

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha në aktivitetin e zhvilluar me rastin e 8 dhjetorit, edhe pse nuk e përmendi me emër e kishte një mesazh edhe për Sali Berishën.

“Shqipëria po zbrazet, po i kalon ritmet e viteve ’90. Kjo për shkak të regjimit që ka çuar në vdekje klinike demokracinë. Detyra jonë është të përballemi me këtë regjim. ka ardhur momenti, 31 vite më vonë, nuk ka më kohë për mua, për brezin tim, sepse do ishte mëkat ndaj 17-vjeçarëve të sotëm që të mbyllim sytë e të mos pranojmë atë pjesë të fajit që është e jona që shkulëm komunizmin, por jo mentalitetin komunist, të vënies dorë në zgjedhje, të atakimit të opozitarit si armikut, të goditjes së mendimit ndryshe. E kërkoj sot faljen si kryetar i PD, për të gjitha ato përgjegjësi tonat, gabimet tonat dhe ajet tona që i kanë mundësuar këtij regjimi ta kthejë Shqipërinë në dimensionin e vuajtjes aty ku ishte 31 vite më parë. Zotohem se PD është në këmbë, e fortë, ka ditur dhe do dijë të qëndrojë në këmbë e forcë e bashkuar sepse ne kemi një mision, lirinë, demokracinë dhe Shqipërinë si gjithë Europa”, tha Basha.