Aktualitet Lajmet e fundit

PD: Hakerimi i e-Albanias skenar hollivudian, rrezikohet rrjedhje tjetër e të dhënave!

Për rënien e E-Albania, Komisioni i Rithemelimit thotë se hakërimi i kryer është si një skenar hollivudian. Anëtari i këtij komisioni, Arben Ristani u shpreh se qeveria po mundohet më shumë të fshehë informacione, sesa të zbulojë.

Sipas tij hakërimi bëhët më i pabesueshëm nëse kujtojmë rekordet thuajse kriminale të qeverisë sa i takon privatësisë së qytetarëve. Komisioni i rithemelimit risjell në vëmendje rastin e patronazhistëve, të cilët kishin në duar të dhëna të qytetarëve shqiptarë, të siguruara përmes të njëjtit sistem, i cili është hakëruar.

“Në një rast të dytë të paprecedent, punonjësit e së njëjtës administratë nxorën të dhëna sensitive të qytetarëve, që nga rrogat, të dhënat personale e me rradhë.”, shton Ristani.

Ristani thotë se pas lajmit për hakerimin mund të fshihen rrjedhje të tjera të databazës dhe të dhëna sensitive publike.

“Kur kjo të ndodhë, Shefi i Shtabi të Përgjithshëm të Patronazhistëve, do t’ja hedhe fajin hakerimit të bërë nga ‘forca të panjohura’.”, përmbyll fjalimin Arben Ristani.

Kryeministri Rama ka thënë sot se sulmi kibernetik ndaj Shqipërisë dhe faqeve online qeveritare është duke përfunduar pasi sipas tij kundër ofensiva e AKSH-it dhe aleatëve është e suksesshme

 “Kundërofensiva e AKSH-it dhe aleatëve në përballjen e agresionit kibernetik mbi Shqipërinë, po rezulton e qëndrueshme dhe e suksesshme! Agresori nuk ka arritur të shembë sistemin e mbrojtjes dhe është në tërheqje! Nëse s’do kemi surpriza të tjera, shërbimet do rikthehen shumë shpejt”, shkruan Rama në Twitter.