Aktualitet Politikë

PD kërkon dorëheqjen e ministrit të Brendshëm, Bledi Çuçi!

Në një deklaratë për mediat, Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Flamur Noka u shpreh sot se skandali i rëndë, ku sipas Nokës, “është përfshirë djali i ministrit të Brendshëm Bledi Çuçi, prej kohësh i është fshehur qëllimisht opinionit publik” dhe kërkoi dorëheqjen e ministrit. Ndërkohë, akuzoi kryeministrin.

Edi Rama njësoj siç mbrojti Saimir Tahirin të përfshirë në trafik droge, njësoj siç mbrojti Fatmir Xhafën për të vëllanë trafikant droge, njësoj siç mbrojti kryebashkiakë e deputetë – trafikantë e shkelës të tjerë të ligjit, po bën gjithçka për të mbajtur të fshehur skandalin e përfshirjes së djalit të Bledi Çuçit në një aferë kriminale trafiku në Itali dhe ta mbajë atë ministër të Brendshëm.

Flamur Noka shtoi:

Nëse në Shqipëri do të kishte shtet me demokraci funksionale dhe jo regjim, Bledi Çuçi edhe nëse s’do të jepte dorëheqjen, do të duhej të ishte shkarkuar menjëherë!

Sipas tij, “Bledi Çuçi ka heshtur për rolin e të birit në skemën e trafikut, të zbuluar nga autoritetet ligjzbatuese italiane, por heshtja e tij e qëllimshme nuk i mbulon dot faktet e rënda”.

Eshtë fakt se djali i Ministrit të Brendshëm të Shqipërisë ka kaluar kufirin me dokumenta ta falsifikuara. Eshtë fakt se djali i Ministrit të Brendshëm të Shqipërisë e ka kaluar kufirin me Italinë në mënyrë të paligjshme me qëllim transportin e ilaçeve, pjesë e skemës së abuzimit prej 600 mijë eurosh. Eshtë fakt se të dyja këto janë pjesë e akuzës ndaj djalit të Ministrit të Brendshëm të Shqipërisë, siç pohohet edhe në hetimet paraprake të Prokurorisë së Milanos.