Aktualitet Politikë

PD/LSI: “Kriza energjetike është korrupsioni, SPAK të vihet në lëvizje!”

Ndërsa në orën 15:00, Qeveria prezanton planin e posaçëm për krizën energjetike, Opozita këmbëngul se nuk është e tillë, por “krizë korrupsioni”. Sekretari i grupit parlamentar të PD-së, Arbi Agalliu solli të dhëna se sa është çmimi i energjisë elektrike në bursë dhe sa e blen Qeveria. Sipas tij, në ditët e fundit janë zhvilluar tre tendera.

Në tenderin e parë janë shpenzuar 16.7 milion euro për të blerë energji elektrike, ndërsa në bursë mund të blihej fare mirë për 12 milion euro. Pra, 4 milion euro më tepër ka shpenzuar Qeveria shqiptare. Në tenderin e dytë janë shpenzuar rreth 10 milion euro për të blerë energji elektrike, ndërsa në bursë mund të blihej për vetëm 7.4 milion euro. Pra, janë shpenzuar 2.5 milion më tepër. Tenderi numër tre, Qeveria ka blerë energji elektrike me vlerë 12 milion euro, ndërkohë që në bursë mund të blihej me vlerën 9.4 milion euro. Pra, 3.4 milion euro më tepër. Në total janë shpenzuar mbi 10 milion euro nga Buxheti i Shtetit. Nuk është problem rritja e çmimit të energjisë elektrike në bursë, problem është korrupsioni i kësaj qeverie. Problemi janë aferat në këto tendera.

Ndërkaq, edhe për Lëvizjen Socialiste për Integrim, “kriza e energjisë, e paralajmëruar nga kryeministri, vjen e gjitha si pasojë e keqmenaxhimit dhe shpërdorimit të parave publike në këtë sektor”. Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Endrit Braimllari:

Qytetarët do të detyrohen të paguajnë energjinë elektrike me çmim më të lartë, për shkak të hajdutërisë së qeverisë dhe marrëdhënies së saj të ngushtë me oligarkët, për shkak të keqmenaxhmit të KESH-it dhe OSHEE-së. Një situatë e tillë duhet të menaxhohet e gjitha nga fondet e KESH-it e OSHEE-së sepse para disa vitesh, u rrit çmimi i energjisë pikërisht për këtë arsye, që të investohej në sektor, për të përballuar kriza të tilla. KESH-i vendos të eksportojë energji me çmime 20-30 euro, ndërkohë bursa kap vlerën e 130 eurove. Po në të njëjtën periudhë importon OSSHE-ja, me vlerë shumë më të madhe se KESH-i. KESH-i shet më lirë energji dhe nuk e çon këtë për nevojat e tregut të brendshëm, ndërsa OSHEE-ja importon energji. Vetëm ky fakt tronditës duhet të vendosë në lëvizje SPAK-un.