Aktualitet Politikë

PD “mban” fjalën, depoziton në SPAK padinë për energjinë/ Tabaku dhe Alibeaj kërkojnë që përgjegjësit të dalin para drejtësisë.

Ashtu siç ishte paralajmëruar më herët nga kreu i PD-së Lulzim Basha dy nënkryetarët e PD, Jorida Tabaku dhe Enkelejd Alibeaj kanë depozituar sot në SPAK padinë për energjinë.

Padia është bërë ndaj administratorit të OSHEE, Ardian Çela; Ergys Verdhos si administrator i KESH dhe Erina Rexhepit me detyrë administratore e furnizuesit të tregut të lirë. Selia blu i akuzon për shpërdorim detyre, korrupsion dhe moskallëzim të krimit.

Gjatë fjalës së saj para gazetarëve, Tabaku nënvizoi se pret që drejtësia e re të veprojë dhe të vendosen përpara drejtësisë personat që abuzojnë me pushtetin dhe shpërdorojnë paratë publike.

Dëmi ekonomik është 10 mln euro për një nga lotet. Ndërkohë për të gjithë periudhën nëse do të ishte përdorur ajo energji elektrike që shpenzohet nga ne, do i kishim kursyer buxhetit të shtetit 150 mln euro. Këto janë asgjë nga ajo që ka përjetuar ky sektor, me vjedhjet që kanë ndodhur atje, me rritjet e energjisë elektrike dhe rritja që do të bëhet për muajt në vazhdim. Qytetarët shqiptarë po vuajnë krizën e korrupsionit. I bëj thirrje drejtësisë së re të ngrihet në nivelin që takon, të mos lejojë zyrtarët të përdorë pushtetin për t’u mbrojtur. Të marrë vendime që këto fonde të vjedhura të kenë një përgjegjës përpara drejtësisë.

Ndërsa Deputeti Enkelejd Alibeaj tha se Rama ka vënë në dorë edhe SPAK.

Nuk ka ndodhur sepse një dorë e ka zënë për fyti drejtësinë. Edhe këtë seli. Është dora e Edi Ramës. Do duhej ta fillonin vetë procedimin penal, e filluam ne. Ky është detyrim politik, juridik, qytetar mbi të gjitha, tha Alibeaj.