Aktualitet Politikë

PD: Opozita u anashkalua në Bruksel!

Partia Demokratike ka reaguar sot në lidhje me mospjesëmarrjen e opozitës në Konferencën e Parë Ndërqeveritare me Bashkimin Europian. Në një deklaratë për mediat, Sekretarja për Organizatat Partnere, Megi Balliu u shpreh se që nga Konferenca e Londrës në vitin 1913 dhe Konferenca e Paqes së Parisit më 1919-ën, shqiptarët kanë shkuar së bashku, aty ku është folur dhe vendosur për fatin e përbashkët.

Pavarësisht krahinave, feve dhe ideve, krerët e këtij vendi kanë shkuar krah për krah, qoftë edhe për sytë e botës. Kjo traditë shembullore e unitetit dhe tolerancës u zhbë nga Enver Hoxha në vitin 1944. U kthye, pas katër dekadash kur komunizmi theu qafën. Në 30 vitet pas komuniste Partia Demokratike mund të krenohet, me të drejtë, me rekordin e saj të unitetit dhe përfaqësimit. Tri fetë kryesore të shqiptarit, përfaqësoheshin në trekëndëshin Parlament-Qeveri-Presidencë.

Përkatësitë krahinore respektoheshin gjithashtu. Opozita socialiste ka qenë në të gjitha takimet me rëndësi kombëtare jashtë në krah të delegacioneve të qeverisë Berisha.

Nga Selia Blu, Megi Balliu shtoi gjithashtu se dy shembuj të pakontestueshëm dhe publike janë nënshkrimi i marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit dhe anëtarësimi në NATO.

Në delegacionet e kryeministrit Berisha ka patur përfaqësues të opozitës në të dy rastet, siç do ta shihni në fotot që po ju tregoj këtu. Edi Rama duke anashkaluar opozitën, duke shpërfillur unitetin dhe përfaqësimin në një moment me valencë kombëtare, e ktheu Shqipërinë në kohën e komunizmit. Ky është Edi Rama. Ne nuk kemi nevojë të lodhemi për ta shpjeguar, sepse ai nuk lodhet së qeni i ngjashëm me modelin e tij shpirtëror. Partia Demokratike ndjen detyrimin publik të përballë qeverinë aktuale me forcën e fakteve dhe modelet më të mira kombëtare. Sigurisht, ne krenohemi që jemi pjesë e një modeli që ka parë dhe sheh nga uniteti kombëtar dhe përfaqësimi.