Aktualitet

PD, padi në Kushtetuese për mosngritjen e Komisionit Hetimor “Becchetti”!

Në Gjykatën Kushtetuese, opozita depozitoi sot padinë për atë që e cilëson “vendim antikushtetues të Kuvendit lidhur me mosngritjen e komisionit hetimor për çështjen “Becchetti””.

Nënkryetarja e Partisë Demokratike, Grida Duma:

Fitorja e parë e PD-së është fakti që ata treguan publikisht se nuk miratojnë dot një komision hetimor, sepse janë të qartë se është çështje e humbur. Në dy dekada është traditë normale që mjaftojnë ¼ e firmave të deputetëve, për të ngritur komisionin hetimor.

PD nuk kënaqet e nuk mund të ndalojë thjesht te një fitore publike mediatike dhe e ka bërë të ditur, hapur e qartë se për këtë çështje, Rama ka frikë të hetojë sepse e di se është i dështuar, shkaktar përgjegjës për 120 milion eurot. Megjithëse vonohet, komisioni nuk pengohet plotësisht. E sigurt është që Shqipëria është e vonuar në shumë aspekte, por le të përpiqemi që të mos jetë një çështje e penguar dhe e harruar. Këtë do të bëjmë, sepse 120 milion euro të Arbitrazhit Ndërkombëtar që ndëshkon Shqipërinë do t’i paguajnë shqiptarët. Shkaktar është Rama, për shkak të faktit të thjeshtë se politika merr hak politikisht ndaj një medie, ndaj një investitori. Kjo është çështja dhe ne do të luftojmë deri në fund, që të mos paguajnë shqiptarët, por shkaktarët.

Sekretari i Përgjithshëm, Gazment Bardhi:

Në kohën kur vendimi u bë publik, PD depozitoi në SPAK një kallëzim penal, por këtu bëhet fjalë për një komision hetimor parlamentar, për të përcaktuar përgjegjësitë administrative të secilit prej zyrtarëve publikë dhe për t’i përballur ata me pasojat financiare që sjell ky vendim.

Dy janë kërkesat e PD-së për Kushtetuesen:

1. Zgjidhja e mosmarrëveshjes së kompetencës ndërmjet jo më pak se një të katërtës së deputetëve dhe Kuvendit të Republikës së Shqipërisë.
2. Deklarimin si të papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë të vendimit të Kuvendit për mosmiratimin e ngritjes së Komisionit Hetimor “Becchetti”.

Më 14 tetor, kur Kuvendi miratoi ngritjen e komisionit hetimor për 25 prillin, rrëzoi atë për komisionin “Becchetti”, pasi maxhoranca e konsideron “në kundërshtim me ligjin”, ngritjen e tij.