Aktualitet Politikë

PD për veriun e Kosovës, “Tregohet hipokrizia e “Ballkanit të Hapur”!

Në një reagim për situatën në veri të Kosovës, Partia Demokratike shpreh mbështetjen e plotë ndaj qeverisë Kurti. Beogradit zyrtar, i bën thirrje t’u përmbahet të gjitha marrëveshjeve të nënshkruara në kuadër të dialogut dhe t’i zbatojë pa vonesë. Anëtari i Kryesisë, Aldo Bumçi:

Ne dënojmë përpjekjet e Serbisë që përmes deklaratave dhe veprimeve që nxisin konfliktin, synojnë destabilizimin e Kosovës dhe janë me pasoja për të gjithë rajonin. Në të njëjtën kohë, përshëndesim maturinë dhe vendosmërinë e autoriteteve të Republikës së Kosovës e vetëpërmbajtjen e qytetarëve të saj, në menaxhimin e kujdesshëm të këtij provokimi të përsëritur. Gjithashtu, përshëndesim angazhimin e KFOR-it, të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Europian për çtensionimin e situatës dhe garantimin e paprekshmërisë së sovranitetit të Kosovës e pacënueshmërinë e kufijve dhe sigurisë së saj. E konsiderojmë të papranueshme e të pajustifikueshme heshtjen e autoriteteve më të larta shtetërore shqiptare, duke cënuar rëndë interesin kombëtar dhe kornizën e sigurisë rajonale.

Po ashtu, Aldo Bumçi i bëri thirrje qeverisë shqiptare, “të ndërmarrë pa vonesë të gjithë hapat e nevojshëm për të mbështetur qeverinë e Kosovës, në përpjekjet legjitime për të ushtruar në mënyrë të plotë sovranitetin e saj dhe të dënojë çdo akt të autoriteteve serbe që nxit konflikte për llogari të aktorëve të tretë”.

Qeveria shqiptare duhet t’i përmbahet detyrimit kushtetues për të mbrojtur interesat kombëtare kudo dhe kurdo ato kërcënohen. Në fund, duam të theksojmë përmes këtij rasti flagrant, hipokrizinë e nismës së “Ballkanit të Hapur” dhe protagonistëve të saj, Rama e Vuçiç. Nëse hapja do të ishte synimi i tyre, nëse Kosova do të konsiderohej, siç thonë, e mirëpritur në këtë projekt, aktet absurde të nacionalizmit të shekullit 19-të dhe paradat e serbomadhnisë në kufirin mes dy vendeve, nuk do të përsëriteshin edhe njëherë, në ato toka ku vetëm para pak vitesh luhej teatri i përgjakur i luftës.