Politikë

PD-PS gjejnë gjuhën e përbashkët, Kuvendi miraton projektligjin për hapjen e dosjeve

Pas një seance maratonë, Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar projektligjin për hapjen e dosjeve me 94 vota pro dhe një abstenim, ai i deputetit Nasip Naço.

Shfuqizimet e komisioneve “Bezhani” e “Mezini”, i jep të drejtë Autoritetit të Dosjeve të rivlerësojë figurën e zyrtarëve të pajisur me certifikatë pastërtie.

Gjatë seancës u miratuan edhe amendamentet e propozuara bashkërisht nga PD dhe PS që parashikojnë që “çdo person gëzon të drejtën të njihet me dokumentet e ish sigurimit të shtetit dhe të kërkoj një kopje të tyre, në përputhje me ligjin për të drejtën e informimit, me kusht që kërkuesi të paraqesë të dhëna në kërkesën e tij që mundësojnë lokalizimin e informacioneve. Informacioni jepet vetëm kur angazhimi i nevojshëm për gjetjen dhe vënien në dispozicion të informacionit është në përpjesëtim të drejtë me interesin e argumentuar të kërkuesit në marrjen e këtij informacioni”.

Ndryshimet ligjore shkaktuan debate të shumta në dy javët e fundit në Komisionin e Ligjeve dhe Parlament, derisa sot shumica pranoi amendamentin e PD-së për të hapur të gjitha dosjet e ish-sigurimit.

Më parë, kryeministri Rama u shpreh se e keqja më e madhe e komunizmit kishte ardhur pas shembjes së sistemit. “Komunizmi ka bërë shumë të këqija, por një nga të këqijat shumë të mëdha e ka bërë pas vdekjes, duke pjellë komunistët antikomunistë. Ulëritësi numër 1 nuk vjen këtu pasi nuk do të hapen dosjet. Lustracioni është një truk për të mos hapur kurrë dosjet”, deklaroi ai.