Aktualitet Politikë

PD-së i rrëzohet përsëri kërkesa për komision hetimor mbi Investimet Strategjike!

Për herë të tretë, në Konferencën e Kryetarëve u rrëzua kërkesa e Partisë Demokratike për ngritjen e Komisionit Hetimor për Investimet Strategjike. Kryetari i grupit, Enkelejd Alibeaj tha se “kjo është skandaloze” dhe u zotua që PD të ndjekë të gjitha rrugët, deri në fund. Sipas tij “u shkel Kushtetuta dhe ligji për komisionet hetimore”.

Ne do t’i bëjmë me dije të gjitha arsyet reale të rrëzimit të kërkesës. I gjithë zbatimi i ligjit për Investimet Strategjike është skemë korruptive.

Edhe Taulant Balla foli pas rrëzimit nga Konferenca e Kryetarëve të kërkesës së opozitës për ngritjen e Komisionit Hetimor për Investimet Strategjike.

Mendoj se opozita ka plot instrumenta të kontrollit parlamentar për të adresuar propozimet e veta. Në kërkesë nuk ka asnjë fakt dhe asnjë indicie që Kuvendi të investohet për ngritjen e një komisioni hetimor. Janë tepër të qarta ato që ka përcaktuar Kushtetuta, e drejta e Kuvendit nuk është e pakufizuar. Duhet të përqaset me nevojën e identifikimit të fakteve konkrete. Të hetosh të gjitha kontratat dhe hapësirën e ligjin, nuk është objekt i komisionit hetimor. Të enjten do të parashtroj të gjitha qëndrimet e grupit parlamentar.

Por, PD kërkon ngritjen e këtij komisioni nxitur nga dyshime për abuzime dhe klientelizëm për projektet strategjike. Kërkesa u firmos nga 35 deputetë të opozitës. Sipas ligjit, për ngritjen e një komisioni hetimor duhen të paktën 35 firma deputetësh. Partia Demokratike thotë se ky komision do të hetojë të gjitha investimet e mëdha, që sipas saj i janë dhënë miqve të kryeministrit Rama.

Në mbledhjen e fundit të grupit, demokratët përcaktuan edhe përbërjen e Komisionit Hetimor për Investimet Strategjike, duke vendosur si kryetar Gazment Bardhin. Si inciator për ngritjen e këtij komisioni, Bardhi u shpreh se “qëllimi është që shqiptarët të shohin sesi pronat publike po ndahen tek familjarët e ministrave, miqtë e Edi Ramës dhe tek një grusht oligarkësh pranë tij”.