Aktualitet Politikë

PD zgjedh sot Kryesinë!

Partia Demokratike zhvillon sot zgjedhjet për Kryesinë.  Në orën 11:00 nis mbledhja e Këshillit Kombëtar e ku si pikë e rendit të ditës është zgjedhja e Kryesisë së PD-së. Sipas axhendës,  fjalën do ta marrin kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha dhe kreu i Këshillit Kombëtar, Edi Paloka. Pas fjalimeve të tyre pritet të nisë votimi, ku garojnë 47 kandidatë.

Paraprakisht çdo anëtar i Këshillit Kombëtar do të firmosë manualisht dhe elektronikisht për prezencën e tij në mbledhje. Risi e këtij procesi zgjedhor është numërimi elektronik i çdo flete votimi, që ndodh për herë të parë në partitë politike shqiptare. Pas shfaqjes në ekran, çdo votë do të kalojë në kohë reale në tabelën përmbledhëse nga ku do të mësohen emrat fitues të anëtarëve të rinj të Kryesisë së Partisë Demokratike. I gjithë procesi do të jetë transparent për publikun dhe median, e cila, do të jetë e lirë të raportojë në ambientet e selisë dhe të ndjekë çdo zhvillim të sotëm e në vijim.

Më 22 maj, mbështetësit e Grupit të Rithemelimit e zgjodhën Berishën në krye të Partisë Demokratike, me rreth 41 mijë vota ose 93.45%, kundrejt mbi 2 mijë e 500 të rivalit Ibsen Elezi. Në një vit nga koha kur për korrupsion madhor e cënim të demokracisë, Shtetet e Bashkuara shpallën “non grata” ish-kryeministrin dhe familjarët e tij, grupi parlamentar demokrat u nda në pro e kundër Berishës. I përjashtuar nga grupi në shtator të vitit të kaluar, Berisha nisi një tur në Shqipëri e rimori drejtimin e Partisë Demokratike. Ish-kryetari Basha, i cili e përjashtoi, dha dorëheqjen në mars. Uashingtoni e ka bërë të qartë se nuk do të kenë kontakte me Berishën, as me Partinë Demokratike nëse rikthehet në krye.

Një pjesë tjetër opozitare përfaqësohet nga kryetari i grupit, Enkelejd Alibeaj, ndërsa palët nuk e njohin njëra tjetrën dhe një proces gjyqësor po vazhdon në Apel për të marrë përfaqësimin e Partisë Demokratike. Socialistët e bënë të qartë se nuk do ta negociojnë zgjedhjen e presidentit të ri me persona të shpallur “non grata” nga Shtetet e Bashkuara.