Rajoni

PE miraton rezolutën për njohjen reciproke Kosovë-Serbi!

Parlamenti Europian miratoi rezolutën ku thuhet se “marrëveshja përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë duhet të bazohet në njohje reciproke”. Kjo është hera e parë që në një dokument të institucioneve europiane përmendet njohja reciproke. Pesë shtete të Unionit nuk e njohin Kosovën, por PE-ja është institucioni i vetëm që e trajton si shtet. Megjithatë, rezolutat e miratuara nuk janë dokumente detyruese për vendet e BE-së.

Në seancën e PE-së u miratuan raportet për Kosovën, Serbinë dhe Bosnje-Hercegovinën. Përmes tyre bëhet thirrje për mbështetje të perspektivës europiane të të tre vendeve. Po ashtu, në rezolutën e PE-së u bëhet thirrje pesë shteteve të BE-së që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, ta bëjnë këtë.

“Raportet me Serbinë duhet të normalizohen përmes marrëveshjes e cila të bazohet në njohjen reciproke”, – tha deputetja gjermane, Viola von Cramon, hartuese e raportit për Kosovën. Raportuesi për Serbinë në PE, Vladimir Biliçek, rikonfirmoi se ai nuk ishte në favor që në rezolutë të përfshihej thirrja për njohjen reciproke.

Siç kam thënë, unë nuk isha i kënaqur për këtë. Por, ekziston realiteti politik dhe shumica e vendeve anëtare e kanë njohur Kosovën. Dialogu tashmë është duke u zhvilluar me pjesëmarrjen e të dy palëve.

Në raportin për Kosovën sërish bëhet thirrje për liberalizimin e vizave. Viola von Cramon:

Vota e sotme dëshmon përkushtimin e Parlamentit për integrimin e Kosovës në BE dhe jep udhëzime mbi mënyrën si mund të zbatohen standardet europiane në Kosovë. Kosova ka dëshmuar në vazhdimësi përkushtimin për të avancuar në reformat e lidhura me BE-në dhe është pozicionuar qartë si një partner i besueshëm, i fuqishëm, i lidhur me aleancat europiane e transatlantike. Për fat të keq, BE-ja ka dështuar që të sigurojë lëvizjen pa viza për qytetarët e Kosovës. Unë shpresoj se ky është raporti i fundit ku përmendet dështimi i liberalizimit të vizave.

Me rezolutën e miratuar për Serbinë, përfaqësuesit europianë u bëjnë thirrje autoriteteve serbe “të tregojnë përkushtim real ndaj vlerave të BE-së dhe të harmonizohen me vendimet e qëndrimet e Unionit në politikën e jashtme dhe politikat e sigurisë, duke përfshirë sanksionet kundër Rusisë”. Serbia është i vetmi shtet në rajonin e Ballkanit Perëndimor që nuk ka vendosur sanksione ndaj Moskës, pas nisjes së pushtimit të Ukrainës.