Bota

Pekin, test negativ COVID-i për të hyrë në vende publike!

Nga e enjtja e ardhshme, më 5 maj, banorët e Pekinit, kryeqytetit kinez do të duhet të paraqesin një test negativ koronavirusi, për të hyrë në vendet publike. Datën e konfirmuan autoritetet shëndetësore në vendin aziatik, në nisje të një fundjave të gjatë në Ditën e Punës. Zakonisht, kinezët shfrytëzojnë mundësinë për të udhëtuar nëpër Kinë, por këtë vit shpërthimi më i keq i rasteve që nga fillimi i vitit 2020, po detyron shumë prej tyre të qëndrojnë në shtëpi.

Të përballur me variantin shumë ngjitës Omicron, autoritetet kineze kanë përforcuar politikën “Zero COVID-19”, duke kryer depistime dhe mbyllje masive sapo shfaqen infektimet e para. Këto masa të rrepta kanë çuar në një ngadalësim të ekonomisë së vendit dhe në rritje të zhgënjimit mes njerëzve. Pekini njoftoi sot se “hapësirat publike do të kufizohen”.

Nga data 5 maj, një test negativ për koronavirus do të jetë i detyrueshëm për të hyrë në shumë vende publike dhe për të përfituar nga lëvizja me mjetet e transportit publik.

Kina ka regjistruar më shumë se 10 mijë e 700 raste të reja pozitive në të gjithë vendin, pothuajse të gjitha në Shangai, kryeqyteti ekonomik.
“Në Pekin, numri i rasteve të reja u rrit në 54 të shtunën”, sipas Komisionit Kombëtar të Shëndetësisë. Testet do të jenë falas për banorët.

Pesë ditë më parë, qeveria kineze nisi testimin masiv të qytetarëve në kryeqytetin e Kinës, Pekin, pas rritjes së numrit të rasteve me koronavirus. Jashtë dyqaneve u panë radhë të gjata njerëzish, pavarësisht deklaratave të ekzekutivit se ka mjaftueshëm ushqime e furnizime të tjera. Megjithatë, ekziston frika se Pekini mund të përballet me situatë të ngjashme si Shangai, ku mbi 25 milion njerëz janë mbajtur të mbyllur në shtëpitë e tyre, për javë të tëra.

Në qarkun qendror të Pekinit, radhët u evidentuan përpara supermarketeve e gjithashtu qendrave të testimit, të ngritura në pika të ndryshme nga autoritetet shëndetësore kineze. Ekipi për parandalimin e sëmundjeve në distriktin Çaojang tha se të 3.5 milion njerëzit e qarkut do t’i nënshtrohen tre fazave të testimit për koronavirus.