Aktualitet

Pengesa për bisedimet me Shkupin e pasojat për Tiranën, Kongresi Amerikan letër Bullgarisë!

Përmes një letre dërguar ambasadorit të Bullgarisë në SHBA, Tihomir Stoytchev, anëtarët e Komitetit për Çështjet e Jashtme në Dhomën e Përfaqësuesve të Kongresit Amerikan, William R. Keating dhe Claudia Tenney i kërkojnë atij që Sofja të zgjidhë përfundimisht një mosmarrëveshje dypalëshe me Shkupin, që pengon Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut nga fillimi i bisedimeve të anëtarësimit në BE.

I nderuar ambasador Stoytchev,

Ne, anëtarët e Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së, ju shkruajmë, në fund të një seance dëgjimore të Nënkomitetit për Çështjet e Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve për Ballkanin Perëndimor. Gjatë kësaj seance, anëtarët e Kongresit pranuan se Ballkani Perëndimor është një rajon kompleks, dinamik dhe gjeostrategjik në Evropë. Anëtarët theksuan gjithashtu se këto vende kanë punuar shumë për të zgjidhur mosmarrëveshjet rajonale, për të vendosur demokracinë dhe përfundimisht për të nxitur proceset politike të nevojshme për t’u integruar me shpejtësi në Bashkimin Evropian. Nëpërmjet përpjekjeve të ngjashme, tre nga vendet e Ballkanit Perëndimor, Shqipëria, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut, janë anëtarësuar me sukses në NATO. Për këto arsye, anëtarët e Kongresit – nga të dyja partitë – shprehën mbështetjen e tyre të fortë për integrimin e shpejtë të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian.

Në të njëjtën kohë, anëtarët e Kongresit pranuan se, pavarësisht se Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria kanë përmbushur kërkesat për fillimin e negociatave të anëtarësimit me Bashkimin Evropian, mbetet një mosmarrëveshje midis vendit tuaj dhe Maqedonisë së Veriut që po e pengon Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut të fillojnë këto bisedime.

Ambasadori Stoytchev,

Vonesa e vazhdueshme e përparimit të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian ka vënë në dyshim angazhimet e marra nga liderët perëndimorë, duke hapur një derë për ndikimet politike antiperëndimore në të gjithë rajonin, veçanërisht ato nga Kina dhe Rusia. Ne besojmë se anëtarësimi eventual në BE për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë është shumë i rëndësishëm për paqen dhe stabilitetin afatgjatë brenda rajonit të Ballkanit dhe për të gjithë komunitetin transatlantik.

Si i tillë, ne ju shkruajmë sot si anëtarë dypartiakë të Komitetit të Çështjeve të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve, për t’ju nxitur të arrini një zgjidhje përfundimtare për këtë mosmarrëveshje dypalëshe që do t’i lejojë Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut të nisin negociatat e tyre të pranimit në BE përpara fundit të vitit. Shpresojmë që të lini mënjanë mosmarrëveshjet tuaja dhe të mbështesni integrimin e plotë politik të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë në Bashkimin Evropian.