Rajoni

Pengim i drejtësisë në Kosovë, dy dënime nga Haga!

Haga shpalli fajtorë Hysni Gucatin e Nasim Haradinajn për pengim të drejtësisë në Kosovë. U dënuan me nga 4 vjet e gjysmë burg, si dhe me gjobë në vlerën 100 euro. Vendimin e morën Dhomat e Specializuara, ndërsa në dënim do të llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim, që në këtë rast daton shtatorin e vitit 2020.

Gjykatësi Charles Smith III:

Në emër të popullit të Kosovës, trupi gjykues ju shpall fajtorë për pengim të zyrtarëve përmes kanosjes, pjesëmarrje në veprime të përbashkëta të një grupi, frikësim, shkelje të fshehtësisë së procedurës për informacionin e klasifikuar, zbulimin e paautorizuar të identitetit dhe të dhënave personale të dëshmitarëve të mbrojtur.

Drejtuesit e Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, OVL-UÇK/së, Gucati dhe Haradinaj u shpallën të pafajshëm për akuzën e hakmarrjes.

Gjykatësi Charles Smith III, vuri në dukje se “ky rast tregon më së miri arsyen se përse u krijua Gjykata Speciale”. Ai tha se “mbrojtja e dëshmitarëve është e rëndësishme, pasi pa ta nuk mund të ketë drejtësi për viktimat apo për shoqërinë në tërësi. Veprimet e të akuzuarve sollën rreziqe”.

Gjykatësi nënvizoi se trupi gjykues është i bindur se të akuzuarit kanë kryer veprat penale të zbulimit të informacionit të mbrojtur dhe kanë pasur si synim të drejtpërdrejtë, zbulimin e identitetit të qindra dëshmitarëve e të tjerë personave të mundshëm për të dëshmuar pranë Dhomave të Specializuara.

Megjithatë, trupi gjykues nuk është bindur se pamundësuan apo penguan në masë të gjerë hetimet për të mos lejuar ndjekjen penale të ish-anëtarëve të UÇK-së, të akuzuar për krime lufte e kundër njerëzimit.

Gucati dhe Haradinaj u arrestuan në shtator të vitit 2020, pas dyshimeve se në disa konferenca për shtyp nga selia e OVL-UÇK/së në Prishtinë, shpërndanë dokumente të klasifikuara të Dhomave të Specializuara, që njihen edhe si Gjykata Speciale. Në aktakuzë thuhet se këto dokumente, përmbanin edhe emra të dëshmitarëve që mund të dëshmonin kundër ish-drejtuesve të UÇK-së, mes tyre Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi.