Sociale

Pension deri në 18 vjeç, për fëmijët e bluzave të bardha rënë në krye të detyrës!

Kryeministri Edi Rama deklaron se vendimi i parë i qeverisë së tij, në mandatin e tretë do i kushtohet fëmijëve të të rënëve në krye të detyrës, përfshirë këtu edhe mjekë e infermierë. Ai bëri me dije se për ta do të ketë një kujdes të posaçëm nga shteti deri kur të mbushin moshën 18 vjeç.

Kemi qenë të tunduar për të bërë nderimet përkatëse, por në fund kemi mbetur të mendimit që nderimet duhen bërë në fund të kësaj lufte me COVID-19 dhe prandaj jam shumë mirënjohës urdhrit të Infermierëve për këtë mundësi që na jep. Ta shfrytëzojmë këtë mundësi për t’ju përcjell juve shprehjen më të sinqertë të respektit dhe mirënjohjes  Më duket vendi i duhur për ta përsëritur një angazhim që e kam marrë që përpara ditës së zgjedhjeve që vendimin e parë të qeverisë së re  do ua kushtojmë atyre që quajmë me plot gojë fëmijë të Republikës, vajzave dhe djemve që i kanë shërbyer qytetarëve dhe shtetit dhe kanë rënë në krye të detyrës. Fëmijët e të rënëve në krye të detyrës mes bluzave të bardha nuk do jenë vetëm pasi me një ligj të ri, për ta deri në ditën e daljes së tyre të pavarur në jetë do të kujdeset shteti në mënyrë të posaçme.

Në ditën ndërkombëtare të Infermierëve, ambasadori i BE-së në Tiranë Luigi Soreca vlerësoi se duhen të adresohen çështje që kanë të bëjnë me përmirësimin e kushteve të punës.

Dua të shpreh vlerësimin tim, për të gjithë që ishin në vijën e parë të luftës. Infermierët u bën ura bashkëpunimi, ne jemi të vetëdijshme se mungesa e stafeve për shkak të mbingarkesës janë çështje që duhet të adresohen, për të përmirësuar kushtet e punës dhe për t’i rritur ato profesionalisht dhe BE ju mbështet. Rreth 10 mln euro janë dhënë vetëm për vaksinat e emergjencat.

Ndërkaq, Ambasadorja e Shteteeve të Bashkuara, Yuri Kim deklaroi se në këtë betejë me COVID, infermierët kanë qenë një frymëzim për të. Diplomatja theksoi se Amerika është përkrah tyre.

Sot ju bashkohemi për të nderuar infermierët që humbën jetën për shkak të kësaj pandemie. Pavarësisht se sa iu ka kushtuar kjo pandemi, keni gjetur përkushtimin për të vijuar luftën për gjithsecilin për nesh. Për botën ju jeni heronjtë e rinj, heronj që do ju jemi gjithmonë mirënjohës. SHBA-të janë tejet të nderuara për të mbështetur përpjekjet tuaja. Që prej fillimit të pandemisë SHBA ka përkrahur Shqipërinë me mjete profesionale. Siguruam automjete për t’i dhënë mundësinë profesionistëve shqiptarë, për gjurmimin e kontakteve. SHBA-të kanë angazhuar më shumë se 4 miliardë dollarë për COVAX për të bërë të mundur sigurimin e vaksinave.