Bota

Pentagoni: “E duam të dobësuar Rusinë, mos të fillojë konflikte të tjera!”

Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk e fshehin se duan të shohin një “Rusi të dobësuar, që të mos jetë në gjendje të ndërmarrë luftëra të reja si e Ukrainës”, që vijon prej dy muajsh. Qëndrimin e shprehu shefi i Pentagonit, Lloyd Austin i cili me Sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken ishin në Kiev ku takuan presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky.

Ne duam të shohim një Rusi të dobësuar në një nivel të tillë që të mos bëjë më gjëra të ngjashme me pushtimin e Ukrainës. Për të qenë të sinqertë, ka humbur shumë nga aftësitë ushtarake e trupa dhe ne nuk duam që të rimëkëmbë me shpejtësi të tilla aftësi.

Ndërkohë, Kievi po shënjestron nismën e paqes së Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, i cili nesër do të udhëtojë për në Rusi, para se të zbarkojë pas dy ditësh, në kryeqytetin ukrainas, Kiev. Igor Zhovka, zv.shef i kabinetit të Volodymyr Zelensky-t, duke folur për NBC-në deklaroi:

Nuk është ide e mirë të shkohet në kryeqytetin rus. Nuk e kuptojmë qëllimin e tij për të shkuar në Moskë dhe për të folur me presdentin rus, Putin. Nuk është i autorizuar që të flasë për llogari të qeverisë ukrainase, në përpjekjet e tij për paqe. Por, duhet të përqendrohet në ndihmën humanitare. Çdo bisedë për paqen është e mirë në rast se përfundon me rezultate. Dyshoj shumë se ato bisedime të organizuara nga kreu i OKB-së do të mbyllen me rezultate.

Më herët, dyshimin e shprehu edhe kryeministri Denys Shmyhal në një intervistë për CBS-in:

Shumë liderë në botë e të organizatave ndërkombëtare kanë tentuar këtë negocim, por duket se Federata Ruse e Putin nuk janë të interesuar. Janë të interesuar për gjëra të tjera, si genocidi ndaj ukrainasve.

Ndërkohë, presidenti i Rusisë, Vladimir Putin i shprehu urime homologut Emmanuel Macron për rikonfirmimin në krye të Elizesë dhe i uroi “suksese” në mandatin e dytë. Lajmin e bënë të ditur burime në Kremlin të cituara nga Interfax.