Aktualitet Politikë

Pentagoni “ogur i mirë” për gjeneral Begajn, pak ditë më parë vizitoi Forcat e Armatosura të SHBA-së, sot u propozua për president

Gjeneraj major Bajram Begaj ka ngjitur shkallët e karrierës së tij në ushtrinë shqiptare teksa një arritje për të ishte vizita që bëri pak ditë më parë në Pentagon.

Shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Shqipërisë, që sot u propozua nga Partia Socialiste si kandidat për President, në vizitën e tij të parë në Pentagon takoi zyrtarë të lartë, mes të cilëve kryetarin e Shtabit të Përgjithshëm të SHBA-së, Gjeneral Mark A. Milley. Vizita ishte produkt i bashkëpunimit të ndërmjet dy vendeve dhe forcave të armatosura.

Shtetet e Bashkuara kanë dhënë 17 milionë dollarë për të fuqizuar kapacitetet e ushtrisë e Shqipërisë, tha Begaj, që theksoi se se prania e forcave speciale amerikane do të ndihmojë në këshillimin e Forcave të Armatosura të Shqipërisë.

Në një intervistë për Zërin e Amerikës, gjenerali Begaj tha se gjatë takimit që ka mbajtur këtë javë me shefin e ushtrisë amerikane, gjeneralin Mark Milley, kanë diskutuar për bashkëpunimin mes dy shteteve, por edhe për luftën në Ukrainë.

“Shteti amerikan ka akorduar një buxhet grant prej 17 milionë dollarësh për të rritur fuqinë mbrojtëse të forcave të armatosura dhe për të rritur kapacitetet mbrojtëse. E theksoj që çdo buxhet i modernizimit të forcave të armatosura shqiptare, shkon për të rritur aftësitë tona mbrojtëse. Ne nuk kemi asnjë synim për agresion apo për t’i shpallur luftë dikujt. Ne jemi thjesht në atë çfarë kërkonte NATO si aleancë, që të bëjmë mbrojtje dhe shkurajim për çdo armik apo për çdo kundërshtar”.