Bota

Për 46% të amerikanëve, Amerika është përkeqësuar pas sulmeve të 11 shtatorit 2001!

Gjithnjë e më shumë amerikanë mendojnë se ngjarjet e 11 shtatorit 2001 në Nju Jork, Pensilvani e Pentagon ku atentatet terroriste të al-Kaedës vranë rreth 3 mijë vetë e plagosën mbi 6 mijë të tjerë, patën ndikim negativ për vendin. Nga një sondazh i realizuar në prag të 20 vjetorit të tyre nga Washington Post-Abc News del se 46% mendojnë se sulmet e ndryshuan për keq Amerikën, ndërsa 33% janë të bindur për të kundërtën.

10 vjet më parë, sondazhet i paraqisnin amerikanët më të ndarë rreth çështjes, veçanërisht krahasuar me 2002-shin kur 55% e tyre mendonin se kombi ndryshoi për mirë.
Në çdo rast, mbi 80% e ka të qartë se ngjarjet e 11 shtatorit sollën ndryshime të gjata në Shtetet e Bashkuara.

Në rënie edhe përqindja e qytetarëve të bindur se Amerika është më e sigurtë tani se para 11 shtatorit. 49% e konsiderojnë kështu, vetëm një pikë larg minimumit historik të 2010-ës kur përqindja ishte 48 e më tej shumë larg 64 përqindëshit të shtatorit 2011, katër muaj pas vrasjes së Osama bin Ladenit.

Por si gjithnjë ka dallime, në varësi të orientimit politik. 57% e demokratëve pohon se tashmë vendi është më i sigurtë kundrejt 54% të republikanëve që pretendojnë të kundërtën. Për këtë temë, të pavarurit janë më afër mendimeve të demokratëve. Në fund, sondazhi tregon se 8 në 10 amerikanë mendojnë se pandemia koronavirus do ta ndryshojë në mënyrë të qëndrueshme Amerikën. 50% janë të mendimit se për keq e 21% për mirë.