Lifestyle

Për çfarë janë penduar më së shumti njerëzit gjatë periudhës së pandemisë…

Një në dhjetë persona janë penduar për gjërat që kanë blerë gjatë periudhës së pandemisë, duke përfshirë produkte për të krijuar diçka nga fillimi, apo pajisje për ushtrime fizike. Izolimet e nxitura nga vala e parë e pandemisë së koronavirusit, kanë rezultuar me rekord të shitjeve të disa produkteve, në mënyrë që njerëzit të shijojnë kohën në oborre apo në hapësirat e brendshme.

Sipas ‘RFE’, tani disa prej tyre janë penduar, duke e pranuar se kanë shpenzuar mijëra dollarë në pajisje të ndryshme. Për pasojë, shumë gjëra të shtrenjta tani kanë mbledhur pluhur. Lojëra të ndryshme, pajisje për ushtrime fizike, biçikleta, veshje, bizhuteri, instrumente muzikore, pajisje për kuzhinë si ato për të gatuar bukën, më pas mobilje kopshti dhe furra për pica, janë disa prej produkteve që njerëzit do të donin të mos i kishin blerë. Kjo sipas kompanisë britanike të sigurimeve, ‘Aviva’.

Disa kanë shfrytëzuar për këtë paratë që kishin lënë mënjane për pushime/festa dhe tani u vjen shumë keq që e kanë bërë një gjë të tillë. Ju rikujtojmë gjithashtu se gjatë kohës së pandemisë njerëzit janë dyndur në dyqane për t’ja thjeshtuar punën vetes dhe në vend që të gatuanin kanë gjetur metodën më të thjeshtë duke blerë konserva. Ushqimet e konservuara gjatë dy viteve të fundit kanë parë një rritje domethënëse.

Një kompani nga më të rëndësishmet në këtë fushë, ajo Campbell e shndërruar pothuajse në një ikonë për supat e saj të ruajtura në kanoçet prej teneqeje, ka raportuar një shtim me 35% të xhiros së saj nga viti 2019. Në SHBA, vendi që konsumon më shumë nga ky tip ushqimi, në 2019 janë prodhuar 129 miliardë kanoçe, kryesisht për pije freskuese ose alkoolike. Edhe pse përgjithësisht konservat shihen si ushqim i shpejtë dhe aspak i shëndetshëm, përdorimi i tyre ka ndërruar me shumë gjasa historinë e shoqërisë njerëzore në dy shekujt e fundit.