Tech

Për çfarë po paralajmërohen përdoruesit e Google Chrome?

Përdoruesit e Google Chrome po paralajmërohen ta fshijnë aplikacionin sa më shpejt të jetë e mundur, pasi mendohet se po mblidhen të dhëna shumë të ndjeshme. Të dhënat e telefonit thuhet se rrezikojnë të transmetohen pa e kuptuar as përdoruesi. “Forbes” raporton se ky makth i fundit i privatësisë mund t’u japë përdoruesve një arsye për të fshirë Chrome nga telefonat e tyre.

Kjo vjen pasi Facebook po akuzohet për minimin e të dhënave kritike private të njerëzve duke përdorur të dhënat e akselerometrit si një mjet për të identifikuar vendndodhjet, për të gjurmuar në heshtje përdoruesit e aplikacioneve dhe për të monitoruar aktivitetet. Zak Doffman, shkrimtari i Forbes për sigurinë kibernetike tha se:

Ndërsa Facebook po mblidhte këtë informacion për veten e tij, Chrome është i lumtur ta mbledhë atë për të tjerët duke mundësuar në thelb një informacion falas për të gjithë kur bëhet fjalë për informacione jashtëzakonisht të ndjeshme për çdo aktivitet, çdo sjellje.

Hulumtimi, tha ai, kishte treguar se si aplikacioni lejon faqet e internetit të celularëve të prekin sensorët e pajisjes.

Google jo vetëm që lejon aksesin, por gjithashtu u thotë përdoruesve se ky është një cilësim “i rekomanduar” për ta mbajtur të aktivizuar.

Apple çaktivizon aksesin e sensorit të lëvizjes si parazgjedhje (default). Në Android, Chrome mund të fshihet duke çaktivizuar aplikacionin te cilësimet (Settings). Sipas raporteve, muajin e kaluar përdoruesit e Google Chrome u paralajmëruan për “hakime të shumta të nivelit të lartë”, dy herë brenda javës.

Ndërkaq ju rikujtojmë se specialisti i diamanteve me bazë në Londër, Graff është goditur nga një sulm kibernetik që ka nxitur një hetim nga Zyra e Komisionerit të Informacionit (ICO). Sulmi besohet të jetë kryer nga Conti, një grup famëkeq kibernetik me bazë në Rusi, i cili është fajësuar së fundmi për një rritje të sulmeve në të gjithë SHBA-në.