Aktualitet Politikë

“Për kë bie kambana”… A është ky një mesazh i koduar i Ambasadores Amerikane Yuri Kim?

Panairi i Librit ka qenë eventi më i komentuar kulturor i javës! Edhe ambasadorja amerikane në Shqipëri, Yuri Kim ka publikuar një foto në rrjetet e saj sociale, me një ndër librat e saj të preferuar. Në foton e publikuar nga zyra e saj, Yuri Kim shfaqet duke lexuar “Për kë bie kambana”, libër i Ernest Heminguej.

 “Më ka pëlqyer gjithmonë ajo që ka thënë C.S. Lewis, që ne lexojmë për ta ditur se nuk jemi vetëm. I uroj suksese të gjithë autorëve, botuesve dhe lexuesve gjatë Panairit të Librit kësaj jave,”- shkruan ambasadorja krahas fotos së publikuar.

Por është pikërisht titulli që ambasadorja Kim ka përzgjedhur, ai që tërheq vëmendjen! Pse pikërisht ai libër? Mos vallë është një mesazh i koduar? Dhe nëse po, për kë? Për kë bien këmbat?

Së fundmi, politika në vend është përfshirë në një uragan debatesh, akuzash dhe kërcënimesh nga të gjitha palët, edhe pse socialistët duket se kësaj herë janë lënë ‘jashtë loje’. Fillimisht nisi përplasja mes kryedemokratit Lulzim Basha dhe liderit historik të Partisë Demokratike, Sali Berisha. Më pas u përfshi edhe Lëvizja Socialiste për Integrim. Me shtimin e akuzave të Bashës, në “lojë” u fut edhe presidenti Ilir Meta. Të gjitha këto debate të nisura nga një “non grata” dhe shumë të tjera që përmenden “tavolinave”.

Po për kë bie kambana?

Një prej veprave të vlerësuara nga kritika ndër më të mirat të Ernest Heminguejt ndoshta mund të na vijë në ndihmë. Novela e publikuar në vitin 1940 tregon historinë e Robert Jordan, një vullnetari amerikan që bëhet pjesë e luftës civile spanjolle në krah të forcave republikane.

Megjithatë, novela nuk e përcjell mesazhin e saj kryesor vetëm përmes një karakteri. Shumë prej karaktereve të saj shohin t’u trazohen besimet morale nga lufta ku janë përfshirë dhe fitorja në këtë luftë kërkon përdorimin e dhunës për të mposhtur armikun dhe me këtë të gjithë bien dakord. Por, megjithëse dhuna shihet si e nevojshme, sërish ajo nuk i bind nëse është rruga e drejtë. Kjo është dilema e karaktereve të Heminguejt.

Titulli “Për kë bie kambana” u referohet kambanave që lajmërojnë, jo vetëm një vdekje, por edhe një fund. Prandaj, për kë po bie kambana në Tiranë?