Aktualitet

Për Tanin!

Top Albania Radio kujton sot krijuesin e saj dhe më pas të Top Medias, grupit më të madh dhe më të suksesshëm mediatik në Shqipëri, Dritan Hoxha. 16 tetori është ditëlindja e Tanit, njeriut i cili është ideatori dhe realizuesi i revolucionit radio/televiziv në vendin tonë. Ai ndërtoi Top Albania Radion, të parën radio me teknologji dhe program krejtësisht progresiv dhe të ngjashëm me radiot e kohës në Itali, Francë, Gjermani apo Angli. Më pas, evolucionit dhe revolucionit medial në Shqipëri iu bashkuan, Top Channel televizioni që krijoi standardet referenciale sesi bëhej dhe duhej bërë televizion. Gazetari raportuese korrekte, investigime në shërbim të publikut dhe spektakle të një niveli të lartë, bashkëshoqëruar me cilësi dhe kualitet, të pakrahasuar me asnjë televizion tjetër në vend. Tani, ideoi dhe realizoi platformën e parë televizive Digitalb në vitin 2004, duke e renditur Shqipërinë ndër 3 vendet e para në Europë që kishin një platformë shumënumerike televizive. Një dimension i fuqishëm profesional ishte edhe gazeta Shqip, në të cilën kontribuan emra të shquar të penës së gazetarisë së shkruar dhe publicistikës në kulmin kur shtypi i shkruar kishte një garë të zjarrtë profesionale. Tani na kujton çdo vit më 16 tetor, jo vetëm ditëlindjen e tij, por edhe faktin se ai nuk ishte thjeshtë një individ, një frymor, por ishte fenomen që ndryshoi përgjithnjë konceptin e të bërit radio e televizion në Shqipëri. Moto e tij ishte: “Të jesh gjithnjë i pari, i dyti është si të jesh i fundit!”. Ndaj, bashkëkohësit, bashkëpunëtorët e pasuesit e Tanit rrugëtuan me këtë filozofi duke e mbajtur Top Median në majën mediatike të Shqipërisë. Tani, mbetesh gjithnjë mes nesh!

“Ëndrra Vazhdon”!