Celebrities Film & Tv

Për të gjithë fansat e “Squid Game” një lajm i mirë, konfirmohet sezoni i dytë i serialit!

Seriali i famshëm “Squid Game” është një ‘thriller’ i mbijetesës i vendosur në Seulin e sotëm, ku një grup prej 456 personash janë të ftuar të luajnë një seri lojërash për fëmijë me mundësinë për të fituar një shumë të madhe parash por nëse humbin në lojë, humbin jetën. Seriali korean ka thyer rekorde në Netflix, por për krijuesin e tij që ka bërë rolin e skenaristit, producentit dhe regjisorit nuk paska qenë fare e thjeshtë.

Hwand Donk-hyuk, ka zbuluar se puna e tij u refuzua për 10 vjet për shkak të konceptit të tij të çuditshëm. “Squid Game” nuk kishte mjaftueshëm fonde për t’u realizuar, por kur u krijuan kushtet dhe erdhi momenti për të xhiruar, Hwand e përshkruan si një nga vështirësitë më të mëdha të jetës së tij.

E teksa ai ishte skeptik për xhirimin e një sezoni të dytë, edhe pse fansat e kërkonin shumë, së fundmi Hwand ka konfirmuar se shumë shpejt do të kemi një vazhdim të serialit. Regjisori Hwang Dong-hyuk deklaroi se nuk kishte zgjidhje tjetër veçse të krijonte një sezon të dytë pas popullaritetit global të dramës së famshme koreane.

Shfaqja arriti një vlerësim mbarë botëror pasi u publikua në fillim të këtij viti, duke tërhequr 111 milionë shikues sipas shifrave të vetë Netflix. Në një intervistë të fundit, Hwang u shpreh se:

Është në kokën time tani. Unë jam në procesin e planifikimit aktualisht. Por mendoj se është shumë herët për të thënë se kur dhe si do të ndodhë kjo. Unë do t’ju premtoj këtë, Gi-hun do të kthehet dhe ai do të bëjë diçka për botën.

Rikujtojmë se, “Squid Game” ka fituar mbi 900 milionë dollarë. Kjo shifër ka dalë në media nga zyrat e ‘Netflix’, por nuk është konfirmuar nga kompania e njohur. Nga ana tjetër, vlera e shpenzuar për realizimin e serialit mësohet se është vetëm 21.3 milionë dollarë, mesatarisht 2.4 milionë për episod. Stresi për ta krijuar serialin i kushtoi Hwang Dong-hyuk gjashtë dhëmbë, por nuk ka marrë para shtesë në këmbim. Ai e shkroi skenarin në vitet e tij më të vështira, kur ishte i papunë dhe qëndronte nëpër kafene. Megjithatë pavarësisht famës së “Squid Game”, Hwang nuk është aq i pasur sa konkurrenti që fitoi çmimin kryesor.