Aktualitet

Për të gjithë ju që jeni nisur drejt Korçës për Festën e Birrës, njihuni me masat e sigurisë!

Sot starton festa e birrës në Korçë dhe Policia e vendit ka ndërmarrë një sërë masash. Prej orës 18:00 deri në orën 24:00, në ambientet e brendshme të “Terminalit të Autobusave” në lagjen nr.17, si edhe në ambientet e “Pazarit të Vjetër”, Korçë, do të zhvillohet eventi i Festës së Birrës. Drejtoria Vendore e Policisë Korçë, ka marrë një sërë masash në drejtim të sigurimit të rendit dhe qetësisë publike.

Nga shërbimet e Sektorit të Policisë Rrugore, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Korçë dhe Policinë Bashkiake, do të merren masa për bllokimin e lëvizjes së automjeteve në të dy akset rrugore përkatësisht tek rrethrrotullimi përballë “Pazarit të Vjetër”; të dy akset rrugore pranë pallatit “City Center” drejt kryqëzimit të Maliqit dhe rrugës përballë “Ish-NPV”.

Bllokimi i akseve rrugore do të fillojë që prej orës 16:30 deri në orën 00:30, të çdo dite të organizimit të Festës së Birrës, nga kryqëzimi i fshatit Çiflig deri tek kryqëzimi i Agjensisë Shtetërore të Kadastrës (ASHK) Korçë; nga stadiumi “Skënderbeu” deri tek ASHK Korçë dhe nga kryqëzimi i ASHK Korçë, deri tek rrethrrotullimi i Voskopojës. Qarkullimi i automjeteve brenda qytetit, do të kryhet përgjatë bulevardit “Gjergj Kastrioti” dhe rrugës “Fan Noli”, ndërsa dalja nga qyteti do të bëhet nga stadiumi “Skënderbeu”, tek Drejtoria Rajonale e Shërbimeve të Transportit Rrugor (DRSHTRR) Korçë, në drejtim të Tiranës.

Orientimi i lëvizjes së automjeteve drejt vendeve të përcaktuara për parkim nga Bashkia Korçë, do të bëhet në bashkëpunim me autoritetet bashkiake në zonën përreth stadiumit, nga DRSHTRR Korçë në drejtim të fshatit Dishnicë dhe nga kryqëzimi i Ersekës në drejtim të fshatit Dvoran. Në të gjithë qytetin, në vendet që do të zhvillohet festa ku pritet të ketë grumbullim dhe qarkullim më të madh të njerëzve, në bulevardet kryesore dhe akset rrugore që lidhin Korçën me rrethet e tjera, do të ketë prezencë të shtuar të shërbimeve të Policisë së Rendit, Policisë Kriminale, Policisë Rrugore, grupeve të FNSH-së, Forcave Speciale “Shqiponjat”, të cilët do të mbikqyrin ruajtjen e rendit, do të ndërhyjnë në zgjidhjen e problemeve dhe do të parandalojnë krijimin e situatave të ndryshme, të cilat mund të cënojnë sigurinë publike.

Policia Rrugore apelon të gjithë drejtuesit e automjeteve që​ të shmangin lëvizjet e shtuara me mjet përgjatë këtyre ditëve, të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor duke kufizuar përdorimin e pijeve alkoolike, të vendosin rripin e sigurimit dhe kaskën mbrojtëse, të mos përdorin celularin gjatë drejtimit të mjetit, me qëllim shmangien e ngjarjeve të mundshme rrugore.