Sport

Për të katërtën herë, Vllaznia ngec sërish në barazim!

Vllaznia ngec sërish në barazim, për të katërtën ndeshje radhazi në kampionat, teksa këtë herë nuk shkoi dot përtej shifrave 1-1 ndaj Egnatias në “Loro Boriçi”, aty ku sulmuesit kuqeblu treguan sërish limite të theksuara në finalizim.

Sfida nisi mjaft mirë për shkodranët, që krijuan disa mundësi shënimi, por ashtu si thuajse në të gjitha ndeshjet e fundit, doli në pah problemi me finalizimit, teksa Da Silva, Aralica e Jonuzi shpërdoronin radhazi mundësitë e shënimit.

E nëse nuk shënon, do pësosh, teksa aksioma e njohur e futbollit gjeti konfirmim edhe në “Loro Boriçi”, ku sulmuesi Ilirid Ademi mori një top nga mesi I fushës dhe u nis i vetëm me Zogovic, të cilin e mposhti me një goditje të saktë, duke u dhënë avantazhin rrogozhinasve.

Pjesa e parë u mbyll me avantazhin e miqve, teksa edhe në të dytën ishte Vllaznia që kontrollonte lojën e provonte pa reshtur për golin e barazimit, por sërish mungoi saktësia në finalizim. Golin numër 3000 në historinë e klubit do ta shënonte pikërisht mesfushori Ardit Krymi, që në ndeshjen e tij të 200-ë me fanellën kuqeblu, pasi bëri mirë punën e tij si shkatërrues, dërgoi topin në rrjetë me një goditje me kokë prej bomberi të vërtetë.

Minutat e fundit ishin mjaft interesante, por sa për meritë të portierit Puja, aq edhe për amatorizëm të kroatit Aralica, topi nuk shkoi më në rrjetë, duke bërë që Vllaznia të ndalet në të katërtin barazim radhazi në kampionat, rezultate këto që rrezikojnë ta largojnë edhe më shumë nga kreu.